Korçë, 15 gusht NOA - Një i ri në qytetin e Korçës është arrestuar si autor i aksidentit të ndodhur një ditë më parë ku mbeti i vdekur një burrë, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.
Policia tha sot se u krye arrestimi në flagrancë i 23-vjeçarit Erald Risto, lindur e banues në fshatin Tërovë të rrethit të Korçës.
"Arrestimi i tij u bë, pasi në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke drejtuar mjetin e tij të markës "Benz-Mercedez" me targë KO 7547 A, ka aksidentuar me pasojë vdekjen një shtetas", tha policia.
Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Pocestë, pranë rrugës kombëtare dhe 56-vjeçari Sefedin Veliasi, lindur në fshatin Nikollarë dhe banues në fshatin Barç Korçë, nuk i mbijetoi aksidentit duke gjetur vdekjen në vend.
Policia tha se kreu hetime për ngjarjen dhe paraprakisht e akuzon të riun Erald Risto, për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
/a.f/k.k/NOA/