English

Berisha: Bashkim kombit, zhdukje kufijsh mes Shqipërisë dhe Kosovës

Prishtinë, 15 Gusht NOA - Kryeministri shqiptar Sali Berisha, kërkon që mes Shqipërisë dhe Kosovës të realizohet bashkimi i kombit, duke nënkuptuar me këtë, "zhdukjen e kufijve" madje lajmëroi se së bashku me homologun Thaçi, "ne kemi një projekt që t'i bëjmë shqiptarët të ndjejnë bashkimin në çdo gjë".

Shefi i qeverisë shqiptare i ka bërë pohimet në një intervistë që i dha mbrëmë televizionit Klan Kosova në Prishtinë.

Berisha ka folur jo vetëm për lidhjet mes dy vendeve por edhe për përplasjet e fundit mbi atë që u cilësua nga media të Prishtinës si ndërhyrje e Berishës në politikën e Brendshme të Kosovës.

Lidhjet mes dy vendeve

Kryeministri shqiptar duke folur për raportet e tij me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ka theksuar se "marrëdhëniet e mia me z.Thaçi janë të shkëlqyera".

"Unë kam përuruar tunelin me Kryeministrin e Kosovës dhe gëzimi ynë atë ditë ka qenë i papërshkrueshëm, pasi ajo ditë përbënte një simbolikë të jashtëzakonshme për kombin", - ka sjellë ndër mend Berisha, ditën e para pak muajve kur u shemb tuneli që ndante dy vendet.

Berisha foli në intervistë dhe për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe projektet mes dy vendeve:

"Pas pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes së Shqipërisë në NATO, projekti i dy qeverive tona është bashkimi i kombit, në kuptimin e zhdukjes së kufijve dhe lehtësimit të bashkëpunimit mes bizneseve të të dyja vendeve", - theksoi Berisha.

Kurse vijoi: "Ne do të punojmë, sapo të krijohet Qeveria e re, që t'i zhdukim të gjitha dallimet që i mundojnë qytetarët shqiptarë kur vijnë në Shqipëri apo kur të shkojnë në Kosovë. Në këtë kontekst, me z.Thaçi ne kemi një projekt dhe ky projekt është që t'i bëjmë shqiptarët të ndjejnë bashkimin në çdo gjë", ka thënë Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë këmbëngul se asgjë nuk mund ta prishë këtë projekt madhor të të dyja vendeve.

"Kurrë rotacionet e pushtetit nuk mund të rrezikojnë këtë projekt në të cilin shqiptarët kanë shumë punë për të bërë. Mendoj se janë fare primitive interpretimet jashtë këtij konteksti", ka thënë ai.

Forcat politike

Sakaq, pas replikave të fundit mbi atë që u cilësua nga media të Kosovës ndërhyrje në punët e brendshme, Berisha ka deklaruar se ka dhe dëshiron të ketë raporte të mira me të gjitha partitë kryesore në shtetin më të ri në botë.

Kryeministri nuk mohoi se ka "raporte tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës", por menjëherë më pas, shtoi se "kam raporte të shkëlqyera me Partinë Demokratike dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e parti të tjera".

Nga ana tjetër, nuk ka fshehur dhe preferencën për kreun e PDK, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin theksoi se "kemi një projekt të veçantë, që shqiptarët ta ndjejnë bashkimin në çdo gjë".

"Unë mbaj kontakte të mira me çdo forcë politike dhe çmoj rolin e secilës prej tyre, në arritjen e madhe, pavarësinë e Kosovës", tha Berisha.

Nga ana tjetër, pohoi: "Partia Demokratike ka pasur marrëdhënie tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse ato ishin dy forcat kryesore".

Por, këtu Berisha u përpoq të sigurojë se "kjo nuk përbën asnjë lloj pengese për të ruajtur dhe zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me Partinë Demokratike të Kosovës, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me të gjitha forcat tjera", duke shtuar se "unë vlerësoj rolin e secilit prej tyre" dhe evidentuar se ata "kanë kontribute të mëdha".

Sipas Berishës, këto forca politike, "kanë kontribute në lartësimin e çështjes së Kosovës, kanë kontribute të mëdha në Ekipin e Unitetit, kanë kontribute të jashtëzakonshme në procesin për njohjen e pavarësisë së Kosovës".

Si nisi debati

Deklaratat e dhëna mbrëmë nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, erdhën pas debatit që u hap për "ndërhyrjet e tij në skenën politike të Kosovës".

Gjithçka erdhi pasi Berisha takoi përfaqësues të LDK në Tiranë dhe u shprehu mbështetje duke u dëshiruar fitoren në zgjedhjet e pritshme të Kosovës, çka u transmetua dhe nga komunikata zyrtare e Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe selisë së LDK në Kosovë.

Por komunikata e qeverisë shqiptare u ndryshua disa orë më vonë, duke hequr pikërisht fjalët që ndezën debatin.

Kurse Kryesia e LDK-së kishte lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se "Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi mbështetjen e tij pa rezerva për zhvillimin e mëtijshëm të LDK-së dhe interesimin e tij të thellë që LDK, si parti lidere e djathtë në Kosovë, t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare".

Mirë me të gjithë

Citimet e mësipërme, u interpretuan si anim i mirëfilltë politik i Kryeministrit shqiptar dhe nga disa analistë të Kosovës, u parapa dhe si një deklaratë që mund të kishte pasoja në bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy qeverive në Prishtinë dhe Tiranë.

Pikërisht këtë gjë nuk dëshiron kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha dhe e theksoi fort në intervistën që i dha mbrëmë televizionit të Prishtinës:

"Raporti im me faktorin politik në Kosovë është i shkëlqyer. Unë kam raporte të mira, vëllazërore, si me koalicionin qeveritar, ashtu edhe me opozitën. Jam i bindur se ky rregull funksionon dhe duhet të funksionojë edhe për autoritetet zyrtare dhe spektrin politik të Kosovës. Në të gjithë qëndrimet tona, gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime për sa i përket përkatësive partiake", ishte deklarata mëse sqaruese e kryeministrit shqiptar Berisha, në intervistën dhënë televizionit Klan Kosova.

/a.b/e.n/NOA/

KOMENTE