Gjirokastër, 15 gusht NOA - Fluks emigrantësh që kthehen në atdhe nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kontrollit Kufitar në Kakavijë.
Gjatë 14 orëve të fundit kanë hyrë për në Shqipëri 7860 shtetas dhe 1620 automjete dhe 51 autobusë, ndërsa kanë dalë për në shtetin grek, 3120 shtetas, 600 automjete dhe 30 autobusë.
"Gjatë 24 orëve të ditës së djeshme  datë 14.08.2009, kanë hyrë 9500 shtetas dhe 2600 automjete dhe kanë dalë 3500 shtetas dhe 900 automjete.
Policia Kufitare e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, ka marrë masa për t'ju krijuar lehtësirat e mundshme ligjore emigranteve dhe turistëve të huaj, me qëllim shmangien e radhëve të gjata, duke ju ofruar një shërbim sa më të kulturuar.
Megjithëse fluksi i kthimit të emigrantëve krahasuar me një vit më parë është shumë më i madh, falë masave të marra në këtë pikë kontrolli kufitar gjatë gjithë sezonit, janë shmangur radhët e gjata" thuhej në deklaratën e Policisë së Gjirokastrës lëshuar ditën e sotme.
Sipas policisë së Gjirokastrës, pala shqiptare punon me 8 sportele në hyrje dhe 4 në dalje ndërsa pala greke punon me 3 sportele në dalje për në Shqipëri dhe 4 sportele për në hyrje për në Greqi .
"Edhe në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshme të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore që mund të zhvillohen nëpërmjet pikave të kontrollit kufitar apo nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek duke përfituar edhe nga fluksi i madh i emigrantëve, Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me shërbimet e policisë kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, kanë shtuar shërbimet duke intensifikuar kontrollet për të goditur ndonjë trafik të mundshëm të lëndëve narkotike apo të qenieve njerëzore" thuhej më tej në deklaratën e Policisë së Gjirokastrës.
k.k/NOA
Â