Kabul, 15 gusht NOA-Një sulm me bombë ka goditur zonën e fortifikuar të sigurisë në kryeqytetin e vendit, Kabul.
Zyrtarët thonë se besojnë se shtatë afganë janë vrarë gjatë sulmit vetëvrasës me autobombë.
Sulmi ndodhi pranë selisë së forcave të NATO-s në Kabul, vetm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të vendit.
Në të njëtën zonë ndodhet dhe pallati presidencial dhe disa ambasada të huaja.
Dhjetëra persona janë plagosur, mes tyre dhe ushtarë të NATO-s.
Përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë përsipër talibanët, por korrespondenti i BBC-së në Kabul, Martin Patience thotë se ai ka të gjitha shenjat dalluese të një grupi tjetër militant.
Autobomba shpërtheu herët në mëngjes, në një rrugë të ngarkuar në një zonë të fortifikuar mirë të qytetit.
Shtëllunga tymi të zi mund të shiheshin mbi selinë ushtarake të NATO-s.
Sirenat këmbuan teksa policia dhe ambulancat nxituan drejt vendit të ngjarjes që u rrethua nga forcat ndërkombëtare.
Një zëdhënës për talibanët ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin, por mund të jetë kryer nga një grup tjetër, që bashkëpunon ngushtë me ta.
Masat e sigurisë janë përforcuar në Afganistan në prag të zgjedhjeve presidneciale që zhvillohen të enjten.
Zyrtarët druhen se kryengritësit do të godasin në një kohë kur vëmendja e komunitetit ndrëkombëtar të jetë përqendruar në Afganistan.
m.i/NOA