Prishtinë, 15 gusht NOA-Misioni i EULEX-it dhe Ministria e Brendshme e Serbisë janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes lidhur me bashkëpunimin policor, në të cilën nuk janë të përfshira institucionet e Kosovës, ka shkruar të shtunën e përditshmja "Koha Ditore".
Sipas gazetës, protokolli i cili vetëm pret të nënshkruhet, përmban rregullat rreth bashkëpunimit policor dhe këmbimit të informacioneve më qëllim të luftës kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar, si edhe veprimtarive tjera ilegale.
Gazeta në shkrimin e saj ka vënën në pah se ky protokoll do ta rregullojë bashkëpunimin me EULEX-it dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, "në harmoni me Rezolutën e 1244 dhe vendimin e Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian, nga i cili del edhe mandati i misionit EULEX.
"Si dokument relevant për këtë bashkëpunim në protokoll përmendet edhe raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i 24 nëntorit të viti 2008, i cili evidenton dialogun me Beogradin në gjashtë fusha: polici, dogana, drejtësi, komunikacion dhe infrastrukturë, kufij dhe trashëgiminë serbe", shkruan "Koha ditore".
Përfaqësues të EULEX-it nuk e kanë përjashtuar mundësinë e nënshkrimit. Ata kanë përkujtuar se EULEX ka disa autorizime të caktuara për të cilat në fillim të misionit është arritur marrëveshja.
Ndërkohë, Qeveria ka deklaruar se EULEX-i nuk ka mandat për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se nuk është informuar lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes me MPB të Serbisë.
m.i/NOA