English

Masakra e Durrësit, Bushati: PS kërkon me ngulm nxjerrjen e përgjegjësve politikë

Tiranë, 15 gusht NOA - Rreth një javë pas vrasjes së katër policëve gjatë një operacioni në Durrës për kapjen e shumë të kërkuarit Dritan Dajti, deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka theksuar se kjo ngjarje ka përgjegjës politikë.

"Kanë kaluar 8 ditë nga vrasja tragjike e 4 policëve në detyrë dhe për fat të keq pushteti i grabitur i Sali Berishës ende nuk ka nxjerrë asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por vazhdon të abuzojë më kokëfortësi me kodin e vdekjes.

Partinë Socialiste nuk e emocionon asnjë deklaratë me fjalor rrugaçëror dhe shpifje të ulëta që vijnë nga njeriu që grabiti votat e shqiptarëve në bashkëpunim me kriminelë të lëshuar enkas nga burgjet" deklaroi sot Bushati.

"Jemi këtu për të ritheksuar se vrasja e 4 policëve të pafajshëm është shprehje e gjendjes kritike të një vendi të mbetur pa shtet, ku pushteti punon vetëm për pasurimin e një familje dhe ku shërbëtorët e ligjit ndjehen të pambrojtur nga dora e kriminelëve dhe jeta e qytetarëve shqiptarë është çdo ditë edhe më e pasigurtë.

Partia Socialiste do të vazhdojë të jetë zëdhënëse e shqetësimit qytetar duke kërkuar me ngulm përgjegjësitë dhe përgjegjësit politik, moral e ligjor të kësaj ngjarje tragjike" përfundoi.

k.k/NOA

KOMENTE