English

Në Theth, atje ku ndjen malet joshëse të Shqipërisë

Turistët mund të ngjiten majave të thepisura të maleve, vizitojnë një ujëvarë, kishën, mullirin e ujit dhe një kullë, që dikur shërbente si burg për ata në pritje të gjykimit të kuvendit të pleqësisë, pasi kishin vrarë hasmin e tyre sipas kodit të lashtë të gjakmarrjes në malësinë e Shqipërisë

Nga Benet Koleka*

Një shekull më parë, një shkrimtare shtegtare nga Britania e Madhe u dashurua me fshatrat e thellë me shtëpi tradicionale prej guri të Shqipërisë së Veriut, një rajon që ajo i thuri lavde për madhështinë e tij.

Thethi ka mbetur po ashtu, i thepisur dhe me natyrë të dëlirtë, sikurse ishte atëherë kur Edit Durham e vizitoi në vitin 1909.

Pas një shekulli luftërash, një regjimi stalinist dhe trazirash, banorët e shohin largësinë e fshatit të tyre si joshje për të huajt në kërkim të emocionit të arratisë nga zhurma e qyteteve.

Shtëpitë dykatëshe tradicionale të Thethit, të njohura si kulla, me çati të pjerrëta prej druri, ngrihen në një luginë dhe shpatet e ulëta të maleve të mbuluara nga pyjet e ahut, pishave dhe drurëve të tjerë. Majat e maleve ngrihen në lartësi mbi 2,000 deri në 2,694 metra mbi nivelin e detit, ku bora është e pranishme gjatë gjithë vitit.

"Mendoj se asnjë vend tjetër ku jetojnë qenie njerëzore, nuk më ka krijuar një përshtypje të shkëputjes së mrekullueshme nga pjesa tjetër e botës", shkruante Durham, një nga të parët e huaj që ka vizituar këtë zonë, në librin e saj "High Albania" në vitin 1909.

Turistët perëndimorë në kërkim të natyrës së virgjër kalojnë pranë potretit të Durhamit të skalitur në një faqe guri me fjalët "Mbretëresha e Malësisë", ndërsa udhëtojnë përgjatë rrugës për në Theth, që kalon përmes kreshtave të larta dhe të thepisura.

Ditët e fundit, turisti nga Çekia, Andrej Rapant, babai i të cilit organizon udhëtime turistike në Theth, ishte njëri prej dhjetëra personave që kishin ngritur tenda në një bahçe me kumbulla pranë lumit.

Ai ka ardhur në Shqipëri për pushime në mal, por edhe për t'u larguar nga turmat e turistëve që mbushin çdo verë Alpet e Evropës Qendrore.

"Ne jemi në kërkim të natyrës së pastër dhe e gjejmë këtu në këto male, pasi është shumë natyrale", shprehet ai. Fillim ngurrues

Pas brezash vetëqëndrese të fortë, malësorët lokalë nguronin dhe ishin mosbesues ndaj vlerave dhe mundësive për zhvillimin e turizmit në rajonin e tyre.

Vetëm tre vjet më parë, banorët i shpreheshin një eksperti të agjencisë gjermane GTZ, që nxit zhvillimin ndërkombëtar, se diskutimet e tij për zhvillimin e turizmit në këtë zonë ngjanin "me fjalët e një qenieje që vinte nga një planet tjetër".

Në të vërtetë, shumë banorë vendas kishin braktisur tokat e tyre, duke u ankuar për mungesën e shkollave, mjekëve, bllokimin e rrugës nga dëbora e dimrit dhe vështirësi të tjera.

Zyrtari i GTZ-së, Ismail Beka, përmes televizionit bëri thirrje për zhvillimin e turizmit malor dhe ekspertët e agjencisë gjermane iu dhanë këshilla banorëve të zonës se si të riparojnë dhe zbukurojnë shtëpitë e tyre të gurta për të pritur mysafirë dhe për t'i trajtuar ata me produktet tradicionale të zonës, mish, prodhime të bulmetit, mjaltë dhe çaj.

Shtatë familje pranuan ofertën prej 2 000 eurosh të GTZ-së për pajisjen e banesave me shtretër, tualete dhe dushe. Tre vjet më pas, gjithësecili uron që të kishte bërë të njëjtën gjë.

"Paratë ishin gjëja më e vogël që investuam këtu", thotë Beka. "Shpenzuam shumë kohë dhe energji për t'u fituar zemrat. Diçka e madhe u arrit me pak shpenzime. Afro 5,000 turistë vizituan zonën vitin e kaluar", shpjegon ai.

Beka llogarit se shuma prej 14,000 eurosh, që ata dhanë në fillim, tashmë është përkthyer në 100,000 euro nga shpenzimet e turistëve që vizitojnë Thethin, një shumë përtej ëndrrave të shumicës së banorëve të zonës.

"Afro 90 për qind e turistëve janë të huaj, ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë", tha Beka. "Shtëpitë e mysafirëve të Thethit janë më të mbushura se sa qendrat turistike në bregdet".

Duke na treguar shtëpinë e tij jo luksoze, por të pastër, të pajisur me banjo të stilit perëndimor në sajë të financimit të përbashkët nga GTZ-ja dhe kursimet e tij, hanxhiu Prek Harusha thotë se banorët besonin se nuk ishin plotësisht gati për turizëm, "por duke patur klimën më të mirë në botë" kjo funksionoi.

Fëmijët e Prekut kanë mësuar diçka nga anglishtja dhe shërbejnë si përkthyes në biznesin e babait të tyre. Tufa e tij me 50 dele dhe dy lopë përbëjnë një element që bind turistët të paguajnë 20 euro në natë për strehë dhe ushqim, duke shijuar mish, qumësht, gjalpë të freskët, bukë të gatuar në shtëpi dhe perime.

"Sistemi komunist e shtyu me 100 vjet zhvillimin tonë. E kemi patur gjithmonë traditë që të mirëpresim miqtë, por koha ka ndryshuar dhe tani e bëjmë këtë për të fituar para", shprehet Preku.

"Arrati e vërtetë" Turistët mund të ngjiten majave të thepisura të maleve, vizitojnë një ujëvarë, kishën, mullirin e ujit dhe një kullë, që dikur shërbente si burg për ata në pritje të gjykimit të kuvendit të pleqësisë, pasi kishin vrarë hasmin e tyre sipas kodit të lashtë të gjakmarrjes në malësinë e Shqipërisë.

"Meqë nuk ka shumë njerëz në male, banorët janë shumë të dashur dhe na ofrojnë mikpritje, bukë dhe raki", thotë turisti çek Jiri Kubec.

Udhëtimi me makinë nga Tirana zgjat tre orë e gjysmë, ku një orë e gjysmë udhëtim kryhet në një rrugë shumë të vështirë.

Një nga dy rrugët për automjetet është një përzierje e gurëve dhe dheut që daton që nga koha e italianëve, që pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës II Botërore.

(*) Reuter/ English version: Remote Albania mountains now drawing the tourists

Komentoni reportazhin:

KOMENTE