English

Nostalgjia për të ardhmen

Qytetarët e Kosovës, më parë se sa të ndjejnë krenari për të kaluarën, pushteti i çon drejt një nostalgjie për të ardhmen

Nga Albin Kurti

Kosova i respekton të gjithë. Edhe OKB-në, e cila pas dhjetë vjet sundimi në Kosovë, në vend të ulëses për Kosovën ia imponoi asaj 6 Pikëshin. Edhe BE-në, e cila pasi që ia solli EULEX-in i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave ia dha Serbisë. Edhe KFOR-in, i cili bazohej në Marrëveshjen e Kumanovës ku nuk u ftua asnjë shqiptar, e që tash për secilin kontest kufitar mban anën e Serbisë. Që të gjithë i respekton Kosova. Përveç vetvetes - vullnetit të popullit dhe interesave të qytetarëve të saj. Aq shumë i kanë propaganduar ‘integrimet' saqë e kanë krijuar përshtypjen që më e rëndësishme është që Kosova (një ditë) të hyjë në NATO, OKB e BE sesa që qytetarët e saj të kenë bukë, vende pune, shëndet e arsim cilësor (sot). Ashtu sikurse dikur që shenjtërohej fjala ‘pavarësi', tani po ngjan me fjalën ‘integrim'. Madje edhe përfytyrimi i dinjitetit që afirmohet nuk është ai i jetës së dinjitetshme në Kosovë, por i përfshirjes së Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, i njohjes së Kosovës drejt pranimit të saj në ata mekanizma (të cilët ndërkohë na sundojnë në shtëpinë tonë).

Prandaj askund sikurse në Kosovë nuk mbivlerësohen organizmat ndërkombëtarë si NATO, BE dhe OKB. Prandaj mbijeton paradoksi: Kosova nuk është anëtare në asnjërën prej tyre, ndërkohë që të gjitha këto janë në Kosovë. Shtetet normale të Evropës, ato që tashmë janë në BE si dhe ato që aspirojnë të bëhen anëtare, kush më shumë e kush më pak, megjithatë e kanë një çikë me siklet integrimin në BE sepse aty duhet deleguar ca sovranitet. Asnjë shtet nuk e mirëpret në mënyrë jokritike zvogëlimin e sovranitetit dhe asnjë qeveri zvogëlimin e kompetencave.

Mirëpo, jo edhe Kosova, përkatësisht qeveria e saj. Integrimi (pa shumë vëmendje pse, ku, si dhe kur) është i padiskutueshëm në Kosovë ashtu siç nuk janë as pasuset e librave fetarë për besimtarët. Duket që Qeveria e Kosovës thuajse ka nevojë që Kosovës t'i dëshmohet sovraniteti qoftë kjo edhe përmes zvogëlimit të tij.

Thuajse duan që me aktin e delegimit të sovranitetit, si një akt sovran ky, të tregojnë se jemi sovranë! Ndërkohë, ata po tregojnë mu të kundërtën, se si nuk jemi sovranë. Gjithsesi nuk ishim asnjëherë rast ‘sui generis' porse të tillë me gjasë po bëhemi. Ekzistencialisht sovran të bën ushtria jote. Politikisht sovran të bën ekonomia jote. Ekonomikisht sovran të bën politika jote. Esencialisht sovran të bën demokracia në popullin tënd. Kosova s'i ka asnjërën. Ama bash asnjërën. Politika zyrtare kosovare është e mbyllur në një të tashme performuese. Pa të kaluarën si bazë. Pa të ardhmen si plan.

Madje, siç e kanë disenjuar institucionalisht, Kosova nuk është. Sepse, Kosova (ashtu sikurse u shpall) është projekt (i huaj). Himni i quhet "Evropa", pra atje ku duhet të shkojë, kurse fjalia e parë e Planit të Ahtisaarit nis me "Kosova do të jetë shoqëri multietnike", pra tregon se si duhet të bëhemi në të ardhmen.

Edhe harta e Kosovës në flamur është projekt (meqë veriun dhe jo vetëm atë s'i kontrollojmë), por projekt janë edhe gjashtë yjet identike në të që, për dallim nga realiteti, njësoj u mungon shkëlqimi. Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës dalin popull shumë optimist nëpër sondazhe. Jo përkundër mjerimit social e stagnimit ekonomik, por për shkak se krejt çfarë kanë është e ardhmja, që nuk e kanë dhe (ende) nuk është. Më parë se sa të ndjejnë krenari për të kaluarën, qytetarët e Kosovës pushteti i çon te një nostalgji për të ardhmen. Anthony D. Smith, në librin e tij "Kombet dhe nacionalizmi në erën globale", të përkthyer nga Enis Sulstarova, shkruan: "Në sytë e nacionalistëve të kombeve të vegjël është provuar se pavarësia politike ka qenë një ndihmesë e pazakontë ekonomike. Ajo u ka krijuar mundësinë të zgjedhin midis ofertave të fuqive të mëdha për ndihmë dhe tregti, aleancë e mbrojtje, duke luajtur me një fuqi kundër tjetrës, diçka që nuk do t'ua mundësonte dot statusi kolonial apo përfshirja si një provincë në një perandori apo federatë me të gjerë".

Kosova sigurisht që nuk mund të luante në çarjet midis fuqive të mëdha as kur ishte pjesë e Perandorisë Osmane, as e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, dhe as si pjesë e Jugosllavisë e Serbisë. Sepse ishte e okupuar dhe e sunduar prej tyre. Po sot? Po tani që u shpallëm të pavarur? Duket që, paradoksalisht, aq më pak tash.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është dorëzuar me dashuri të pakushtëzuar ShBA-ve..., apo ndoshta (edhe) BE-së. Ose, më saktë, le të vendosin ata se kujt i është dorëzuar ky! Desubjektivizimin e politikës kosovare Hashim Thaçi e ka çuar larg si askush tjetër para tij. Ai është kredhur më thellë se vetë Ibrahim Rugova përbrenda diskursit të këtij të fundit - një kombinim ky i pragmatizmit amerikan me përulësinë katolike. Te citati i mësipërm i Anthony D. Smith ka një shprehje e cila në Kosovë është zhdukur nga fjalori: fuqitë e mëdha. Nëse lexojmë nga ato se çfarë është shkruar e thënë nga politika shqiptare për më shumë se një shekull, gjithmonë e kemi hasur këtë shprehjen ‘Fuqitë e Mëdha'. Ama jo edhe në këto vitet e fundit. ‘Fuqitë e Mëdha' tash quhen ‘bashkësi ndërkombëtare'. Identifikimi i rolit të shteteve përmes fuqisë së tyre tani është zëvendësuar me konsensusin e tyre të neutralizuar që realisht nuk ekziston askund përveçse në ligjërimin e politikanëve të Kosovës.

Megjithatë diçka humbet në këtë zëvendësim. Ky zëvendësim e bllokon të menduarit për shtetet e vogla që duhet të luajnë në çarjet midis fuqive të mëdha ashtu siç shkruan Anthony D. Smith. Fuqitë e Mëdha nuk duken të mëdha por duken bashkë në mënyrë që të vegjlit të mos mund të luajnë në dallimet dhe kundërshtimet e të mëdhenjve. Ajo që (përpiqet të) humbet në zëvendësimin e ‘Fuqive të Mëdha' me ‘bashkësinë ndërkombëtare' është shpresa dhe shansi për të vegjlit. Njëri ndër shpjegimet e panumërta pse Veton Surroi ka humbur në zgjedhjet e fundit është pikërisht pse ai ka provuar të luajë në dallimet e fuqive të mëdha dhe i ka ndërruar partnerët në gjysmë të lojës. Atëherë, nëse është kështu, megjithatë ndoshta ai ka gabuar vetëm pse këtë e ka bërë përgjatë garës drejt pushtetit e jo pasi që ta ketë marrë atë njëherë? Sepse, sikundër sugjeron edhe Anthony D. Smith, loja e të vegjëlve me çarjet e të mëdhenjve mbase është çështje shteti e jo partie a politikani?

KOMENTE