Prishtinë, 15 gusht NOA - Zvicra dhe Kosova kanë vendosur mes tyre që të nënshkruajnë një marrëveshje për riatdhesim të shtetasve kosovarë që jetojnë në Zvicër edhe pse kanë leje të përkohshme qëndrimi.
Konfirmimin për këtë pakt e ka dhënë agjencia zvicerane e lajmeve ATS, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Nënshkrimi i marrëveshjes për riatdhesim mes Bernës dhe Prishtinës pritet të bëhet pas pak ditësh bën të ditur ATS, duke theksuar se për këtë marrëveshje, autoritetet e dy vendeve janë duke negociuar një kohë të gjatë.
Në marrëveshjen për riatdhesim veç të tjerash parashihet se të gjithë ata emigrantë kosovarë të regjistruar në Zvicër dhe të pajisur me leje të përkohshme qëndrimi, do të riatdhesohen në Republikën e Kosovës.
Sigurisht që riatdhesim do të ekzekutohet edhe për të gjithë shtetasit kosovarë që nuk kanë fare leje qëndrimi, edhe ata do të kthehen në Kosovë.
Burimet nga qeveria e Kosovës, siguruan se marrëveshja dypalëshe, nuk do të ketë pasoja për ata emigrantë që kanë leje të përhershme qëndrimi
 "Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet në muajin shtator gjatë vizitës zyrtare që do të bëjë në Zvicër, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti", - bën të ditur një burim në qeverinë e Kosovës.
Në vite, shumë shqiptarë të Kosovës kanë emigruar në Zvicër ku është dhe numri më i madh i kosovarëve të cilët kanë zgjedhur kurbetin.
Por edhe shumë shqiptarë të Shqipërisë, po ashtu jetojnë në Zvicër, duke paraqitur atje dokumente të falsifikuara si shtetas kosovarë, për shkak se deri vonë Zvicra krijonte lehtësira të shumta për kosovarët.
/a.b/k.k/NOA/