Athinë, 15 Gusht NOA - Një 83-vjeçar me origjinë greke, nuk pranohet nga autoritetet e atjeshme si shtetas grek, ndërsa tregon se ka qenë spiun i shërbimit inteligjent i shfrytëzuar për mision në Shqipëri.
E rëndë dhe e paperceptueshme, drama e dentistit në profesion, Luka Kristidi, i cili rrëfen se si për 28 vjet rresht u dergj në burgjet e regjimit diktatorial shqiptar të Enver Hoxhës.
Vetë Luka, sigurisht që i kujton shpesh ato afro tre dekada tmerr, por duke u ndalur në ditët e sotme, shpërthen:
"Gjithë ç'bëra, e bëra për Greqinë dhe tani, nuk marrin fare parasysh që jam një grek, duke bërë sikur s'më njohin", thotë i trishtuar.
Luka Kristidis ka qenë një spiun i shërbimeve inteligjente greke, pra Sigurimit të Shtetit grek në vitet kur e gjithë bota ishte pllakosur nga "Lufta e Ftohtë".
Luka thotë se sigurimi i shtetit (Agjencia Greke e Zbulimit), atëherë, e hodhi "në gojë të ujkut", duke e dërguar për të marrë informacione në Shqipëri, që të përdoreshin për nevojat e tyre, për llogari të amerikanëve që ua kërkonin. Bëhet fjalë për informacione mbi bazën strategjike të Pashalimanit në Vlorë për të cilën SHBA ishte fort e interesuar, pas prishjes së Shqipërisë me rusët e Hrushovit dhe afrimit menjëherë më pas me kinezët e Mao Ce Dunit.
Amerikanët, të cilët përdorën shërbimin inteligjent grek atëherë, ishin të alarmuar nga fakti se edhe pas prishjes së marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, në bazën ushtarake të Pashalimanit, gjendeshin disa nëndetëse luftarake të cilat kishte të dhëna se përmbanin lëndë bërthamore.
Rrëfimi
Luka pohon se ka arritur të dalë i gjallë nga ai tmerr shqiptar siç thekson, por shton se me t'u kthyer në Greqi, i kthyen kurrizin duke e shpërfillur dhe braktisur.
Tregon se e rekrutuan në strukturat e shërbimit inteligjent dhe më pas e dërguan në Shqipëri, ku u arrestua pak kohë më vonë, u burgos dhe u torturua vazhdimisht.
Tani, siç thotë, është në fund të jetës së tij dhe për më tepër, nuk ka as familje pranë, por e ka një merak të madh: Pret ende që të marrë një letërnjoftim ku të sanksionohet se është shtetas grek.
Në fakt, aventura e Kristidit, do të ishte një skenar i denjë filmi.
Me origjinë të hershme nga zona greqishtfolëse Drimadhë, e Himarës, në vitin 1944 kur ishte 20 vjeç, mori një varkë dhe me të lundroi deri në Korfuz. Atje, u strehua në Navpakto dhe qëndroi deri në përfundim të Luftës Civile greke dhe më pas u vendos në Igumenicë ku edhe krijoi familje. Ai u martua dhe solli në jetë tre fëmijë.
Në Igumenicë, në vitin 1962, u rekrutua nga ana e shërbimeve sekrete greke si agjent për të marrë informacione për nevoja të tyre, në Shqipëri. ***
Agjencia Greke e Zbulimit, ka aktivizuar shpesh agjentë me qëllimin për të marrë informacion mbi gjendjen e minoritetit grek, por edhe lëvizjet ushtarake sidomos në periudhën që nga viti 1959 kur në Vlorë u instaluan nëndetëse sovjetike.
Por në atë kohë, informacioni që u duhej ishte thuajse i pamundur të vilej: Enver Hoxha u prish me Hrushovin dhe kishte forcuar lidhjet me Mao Ce Dunin dhe informacioni ishte bërë shumë hermetik.
Por sakaq, amerikanëve po u interesonte shumë fati i bazës ushtarake pranë Vlorës, ku gjendeshin nëndetëset sovjetike dhe për këtë, kishin futur në punë, shërbimet inteligjente greke.
Duke qenë të qartë se Shqipëria ishte e pakapshme për perëndimorët, mbetej të infiltroheshin shtetas grekë të cilët kishin lidhje të mëhershme me vendin fqinjë, Shqipërinë.
Misioni Luka tregon se u regjistrua në sektorin Α2 të Ushtrisë dhe me Sigurimin, për të shkuar më pas në Shqipëri, së bashku me dy persona të tjerë, po ashtu nga zona e minoritetit grek, Jorgo Vito dhe Jorgo Daci.
"Detyra që na u la, ishte të mblidhnim të dhëna nga fshati Divër i Sarandës. Atje duhet të takonim një minoritar i cili do të na jepte informacione nëse në bazën ushtarake dhe rrotull saj, gjendeshin apo jo, shtetas rusë ose kinezë", - thotë Luka në intervistën për të përditshmen kryesore greke, "Kathimerini".
Për këtë mision, secili nga ne do të paguhej me nga pesë mijë dhrahmi.
Misioni Në batalionin e Thesprotia Filiates të njohur si A2, na u dhanë udhëzime specifike si dhe na armatosën me armë automatike, pistoleta, granata, etj. Natën, e kaluam në territorin shqiptar.
Pas pesë ditë ecjeje, arritëm në fshatin Divri dhe u fshehëm në pyll. Një nga ne të tre ishte si kreu që na udhëhiqte dhe komandonte. Ai, u takua me informatorin tonë, mësoi atë që ne donim dhe që të tre, morëm rrugën e kthimit. Në mes të udhës, aty afër mesnatës ndërsa binte dëborë, unë rrëshkita dhe rashë në një greminë shtatë metra poshtë. Bërtita për ndihmë, por dy të tjerët që ishin me mua, si Jorgo Daci dhe Jorgo Vito, u trembën se mos na dëgjonte ndonjë patrullë shqiptare dhe ikën e më braktisën. Qëndrova gjithë natën si i varrosur në dëborë, kurse në mëngjes, qeni i një patrulle ushtarake shqiptare më nuhati dhe ata më zbuluan".Â
Tmerri i agjentit grek, sapo kishte filluar. Në qelitë e burgut në Tiranë, ai tregon se u mor në pyetje për dy vjet me radhë që të tregonte pse u gjend atje dhe sikundër shprehet, asnjëherë nuk pranoi të flasë.
"Unë isha i lidhur këmbë e duar dhe më torturonin vazhdimisht, gjatë gjithë 24 orëshit. Minjtë në qeli ishin më të mëdhenj se mace dhe nuk më linin kurrsesi të flija", - përshkruan Luka.
Me akuza të rënda, e çuan në gjykatën e Tiranës, ku e dënuan me 25 vjet punë të rëndë të detyruar.
Në minierë "Më çuan në një minierë, tek Minierat e Bakrit dhe Kromit në Spaç. Kampi i Spaçit, ishte më i keqi që mund të përfytyrohet. Të burgosurit dhe të internuarit e dëshpëruar, përpiqeshin të dilnin nga rrethimi me tela me gjemba dhe shihja si ushtarët i ekzekutonin".
Luka tregon edhe kushtet e punës në Spaç: "Kur dilnim mbi tokë, temperatura arrinte në 40 gradë Celsius. Kurse kur futeshim në minierë, temperaturën e kishim 20 gradë nën zero". Për katërmbëdhjetë vjet me radhë, Luka Kristidi punonte në plasjen e minave derisa një ditë e thërritën në zyrën e drejtorit dhe i tha atij se duhet të largohesha. "Bëra të largohem, kur shoh të më afrohen disa policë të cilët nisën të më rrihnin dhe të më godisnin me shkopinj gome dhe të më shanin rëndë: "Palogrek i ndyrë, ke fyer Enver Hoxhën".
Më arrestuan dhe më burgosën dhe sajuan ndaj meje ca akuza duke më shpënë edhe një herë në gjykatë. Një dëshmitar i rremë doli në gjyq dhe mua më dhanë dhjetë vjet burg, për fyerje të udhëheqësit të PPSH, Enver Hoxha.
Ish-agjenti grek tregon se ka kaluar "picirrin e zi" në qelitë e burgjeve sa në Lezhë, sa në Vlorë, më tej në Ballsh dhe kjo histori vazhdoi deri në vitin 1990 kur nisi të shembej regjimi dhe të dilnin të burgosurit.
"Unë dola nga burgu në moshën gjashtëdhjetë katër vjeç. Isha i rrënuar fizikisht dhe mendërisht dhe natyrisht, ajo që më mbetej të bëja, isha të merrja rrugën e kthimit në shtëpi, në Igumenicë ku familja ime, prej 28 vjetësh s'dinte asgjë për fatin tim.
Agjenti grek, përshkruan se ishte 36 vjeç, i ri dhe i fuqishëm kur u përball me kalbjen në burgje dhe 64 kur doli, por tashmë, "një plak i kërrusur, me kurriz të dalë dhe plot vuajtje, nga barra e skllavërisë".
Refuzim Goditjen më të madhe, thotë se e mori pasi kaloi kufirin. Familja e tij e cila deri atë ditë besonte se ishte vrarë, e braktisi, kurse ata që e futën në atë mesele, i kthyen shpinën.
"Mbërrita në shtëpinë time në Igumenicë, si një i huaj. Të gjithë njerëzit atje brenda, gruaja ime dhe tre fëmijët e mi, për mua ishin të panjohur dhe e njëjta gjë dhe unë për ata. Nuk më lanë të qëndroja me ta. Atëherë, u detyrova të strehohem në një kolibe, jo larg shtëpisë ku shihja të jetonin pa mua, gruaja dhe tre fëmijët tanë".
Pasi e kaloi dhe këtë traumë, Luka Kristidi u drejtua tek autoritetet lokale për të kërkuar ndihmë. Por gjeti vetëm porta që i mbylleshin. Përjashtuar spitalit: "Drejtori Janis Theoridis, mësoi historinë time, u prek shumë dhe më siguroi një strehë për të jetuar në një azil pleqsh".
Ish-agjenti tregon se edhe shërbimet sekrete e injoruan. Nuk i siguruan as dhe një pension të vogël mujor, nuk i dhanë kurrfarë ndihme ekonomike dhe as iu ofrua shpërblim moral. Vetëm 15 vjet më vonë, pra në vitin 2006, tregon se mori një letër falënderimi-mirënjohjeje nga Ministria e Jashtme e Greqisë.
Identiteti
Në kërkesën e tij për të marrë një kartë identiteti që vërteton se është grek, përgjigjja ishte dhënia e një karte "omogjenis", si ato të cilat i kanë siguruar dhjetëra mijëra minoritarë grekë.
"Unë u bëra një spiun për t'i shërbyer Greqisë. Përpara se të mbyll sytë, le të më japin një letër ku të shkruajnë atë çka unë ndjehem, pra se jam një grek", thotë 83-vjeçari dhe shpërthen sërish në dënesë.
/n.s/e.l/k.k/NOA/
Shënim: Mediat lejohen të riprodhojnë plotësisht apo pjesërisht historinë e raportuar dhe foto, duke iu referuar agjencisë NOA
Foto me rezolucion të lartë gjeni te Galeria
Komentoni historinë e rrallë të agjentit grek