English

Madonna feston 51-vjetorin e lindjes në koncertin e Varshavës

Varshavë, 16 Gusht NOA - Madonna, këngëtarja mbretëreshë e muzikës pop në të gjithë botën, mbushi 51 vjeç duke e festuar ditëlindjen e saj në Varshavë.

Këngëtarja Luiza Veronika Çikone, e njohur me emrin e artit Madonna, mbushi 51 vjeç, po aq sa do të mbushte dhe Majkëll Xhekson i cili ndërroi jetë para disa javësh në SHBA, në rrethana ende të dyshuara.

Pikërisht për këtë fakt, Madonna nderoi këngëtarin, Majkëll Xhekson, që vdiq në qershor të këtij viti.

Madonna përmendi si të pavdekshme muzikën e Majkëll Xhekson, në koncertin që realizoi mbrëmë në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë.

Por vetë koncerti u parapri dhe pasua nga një numër polemikash që për hir të së vërtetës, nuk i ndahen "të çmendurës" Madonna.

Këngëtarja që në repertorin e saj ka dhe plot interpretim që nuk lënë pa përmendur djallin, zgjodhi dhe refuzoi të ndryshojë tanë, pikërisht 15 gushtin, ditën që nga kristianët cilësohet si dita e lartësimit në qiell të Shën Mërisë.

Dihet se 15 gushti është dita dedikuar Shën Mërisë dhe ajo kremtohet shumë në vendet ortodokse dhe katolike.

Ndaj shumë shoqata në Poloni kërkuan që më së paku, Madonna të ndryshonte datën e koncertit të saj live në qendër të Varshavës.

Përgjigjja ishte mohuese dhe për më tepër, autoritetet në Poloni e kishin dhënë lejën.

Koncerti u zhvillua pa eksese dhe dashamirët e muzikës së saj, së bashku në këngë, i uruan ditëlindjen yllit muzikor, Madonna, pasi ajo mbushi 51 vjeç.

/a.k/e.l/NOA/

KOMENTE