Në vitin 2007 Instituti i Studimeve të Opinionit Publik (ISOP) ndërmori një studim për të shqyrtuar dukurinë e migracionit shqiptar, veçanërisht disa nga proceset e tij kryesore: migracionin e brendshëm, migracionin ndërkombëtar dhe migracionin e kthimit.
Ky projekt u bë i mundur përmes një partneriteti të vazhdueshëm me disa organizata dhe një sërë konsultimesh me shumë ekspertë të kësaj fushe. Do ishte puna e madhe e stafit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin e angazhuar në zbatimin e projektit "Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin në Shqipëri", që do të ndihte për orientimin dhe analizën e hollësishme gjatë gjithë procesit. Studimi përfshihet në tetë kapituj, që mëtojnë të flasin për përkufizimin dhe nocionet; qëllimet e studimit; metodologjinë; gjetjet nga shqyrtimi i literaturës, që përfshin dhe emigracion shqiptar historik në faza të ndryshme të historisë së saj; gjetjet nga vrojtimet në nivel familje; migracionin ndërkombëtar; migracionin e kthimit pastaj dhe përmbledhjen,rekomandimet dhe referencat. Duket se është një studim model për gjerësinë, por më shumë thellësinë e shikimit të problematikës... Stafi i Institutit të Studimeve të Opinionit Publik bashkëpunoi me ekipin e intervistuesve që kaluan orë të tëra duke intervistuar dhe duke marrë informacion në të gjithë vendin. Ideatorët e tij mendojnë dhe ia kushtojnë studimin- personave të shumtë dhe familjeve të tyre që ndanë përvojën e tyre të migracionit.
Çfarë është migracioni?!
Migracioni mbetet një dukuri komplekse që e ka prekur Shqipërinë shumë dekada. Janë ndërmarrë shumë studime për të shqyrtuar shpërndarjen e migracionit ndërkombëtar shqiptar pas rënies së komunizmit në vitin 1990. Është vlerësuar (Van der Pol, 1992) se ndërmjet vitit 1989 dhe muajit mars të vitit 1992, 220,000 shqiptarë u larguan nga vendi dhe ky vlerësim u rrit në 300,000 deri në fund të vitit 1992. Sipas INSTAT (2004), 700,000 shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë periudhës 1989-2001 dhe në vitin 2005 numri i emigrantëve u rrit në 864,485, që përbën 27.5% të popullsisë totale në vend (Banka Botërore, 2005).
Ky raport përpiqet të japë një përshkrim të shkurtër të dinamikave të fundit të dukurisë së migracionit shqiptar, duke u përqendruar kryesisht në dy dekadat e fundit. Në mënyrë më specifike ky raport synon të zbulojë karakteristikat e tre formave të migracionit shqiptar: të brendshëm, ndërkombëtar dhe migracionit të kthimit.
Disa koncepte
Së pari, termi migracion i brendshëm përdoret për të përshkruar procesin e lëvizjes së personave që zhvendosen nga një zonë (një provincë, rreth apo bashki) në një tjetër brenda vendit (Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO). Një tjetër përkufizim i migracionit të brendshëm jepet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Fjalorin e Migracionit, një publikim termash dhe konceptesh kyçe të përdorura më shpesh në literaturën për migracionin, i vitit 2007. Sipas këtij dokumenti, migracioni i brendshëm shikohet si "lëvizja e personave nga një rajon në një tjetër me qëllimin për t'u vendosur në një vendndodhje të re. Migracioni i brendshëm mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm. Migrantët e brendshëm janë të lëvizshëm brenda kufijve të vendit të tyre të origjinës (për shembull migracioni rural-urban)". (IOM, 2007, fq. 35.). Në këtë raport migracioni i brendshëm është konceptuar në përputhje me standartet e IOM-it. Së dyti, migrant ndërkombëtar konsiderohet çdo person që ndryshon vendin e tij/saj të qëndrimit (Kombet e Bashkuara, Rekomandime për Statistikat e Migracionit Ndërkombëtar, UN RSIM). Më tej, kur merret në konsideratë kohëzgjatja e migracionit, shfaqen dy nënndarje të këtij përkufizimi.
Së pari, "migrant afatgjatë" konsiderohet një person i cili lëviz në një vend të ndryshëm nga ai i qëndrimit të zakonshëm për një periudhë të paktën një vit (12 muaj), pra vendi i destinacionit bëhet në fakt vendi i tij/saj i ri i qëndrimit. Nga këndvështrimi i vendit të origjinës personi do të jetë një emigrant afatgjatë ndërsa nga këndvështrimi i vendit të destinacionit personi do të jetë një imigrant afatgjatë.
Së dyti, migrant ndërkombëtar konsiderohet çdo person që ndryshon vendin e tij/saj të qëndrimit (Kombet e Bashkuara, Rekomandime për Statistikat e Migracionit Ndërkombëtar, UN RSIM). Më tej, kur merret në konsideratë kohëzgjatja e migracionit, shfaqen dy nënndarje të këtij përkufizimi. Së pari, "migrant afatgjatë" konsiderohet një person i cili lëviz në një vend të ndryshëm nga ai i qëndrimit të zakonshëm për një periudhë të paktën një vit (12 muaj), pra vendi i destinacionit bëhet në fakt vendi i tij/saj i ri i qëndrimit. Së treti, migracioni i kthimit është një tjetër koncept i rëndësishëm që i referohet kthimit të emigrantit në vendin e origjinës pas qëndrimit së paku për një vit në një vend tjetër. Migracioni i kthimit u referohet si migrantëve të rregullt edhe atyre të parregullt dhe përfshin kthimin vullnetar dhe kthimin e detyruar në vendin e origjinës (Hulst, Laczko & Barthel, 2003). Një përkufizim i ngjashëm gjendet edhe në Fjalorin e Migracionit (IOM, 2007) që e koncepton migracionin e kthimit si kthimin e një personi në vendin e tij/saj të origjinës ose në vendin e zakonshëm të qëndrimit, pas qëndrimit për të paktën një vit në një vend tjetër. Migracioni i kthimit përfshin edhe kthimin vullnetar (fq. 62). Kur përqendrohemi tek migracioni i kthimit koncepti i riintegrimit bëhet shumë i rëndësishëm për të kuptuar realitetet e shfaqura dhe të nënkuptuara të kësaj dukurie. Shpesh riintegrimi shihet si një dukuri komplekse që përfshin faktorë individualë, shoqërorë, ekonomikë, kulturorë dhe subjektivë. Këto përkufizime japin elementë kyç që duhet të merren parasysh gjatë shqyrtimit të gjendjes së migracionit në Shqipëri. Ky studim lidhet me shumë karakteristika të migracionit shqiptar si fillimi, kohëzgjatja dhe drejtimet e lëvizjeve të popullsisë gjatë viteve.
Identifikimi i flukseve migratore
Një mënyrë për të parë ndikimin e migracionit në treguesit demografikë të një vendi është shqyrtimi i ndryshimeve të popullsisë gjatë viteve. Ka shumë burime që japin informacione të ndryshme për ndryshimet e popullsisë. Regjistrat e popullsisë janë një nga metodat që përdoren për identifikimin e flukseve migratore. Ato përdoren për të regjistruar popullsinë me banim në nivel komunash dhe bashkish. Kufizimi kryesor që vjen nga përdorimi i këtij burimi informacioni në rastin e Shqipërisë ka të bëjë me besueshmërinë e këtyre lloj të dhënash sepse sistemi nuk është i kompjuterizuar dhe nuk pasqyron ndryshimet e shpejta të popullsisë që ndodhin ndërmjet ndryshimeve të raportimit nga niveli i komunës/bashkisë në sistemin qendror. Burime të tjera informacioni janë të dhënat administrative, regjistrimet e popullsisë dhe vrojtimet. Për shembull, Instituti Kombëtar i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT) kreu regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në vitin 2001 në Shqipëri dhe të dhënat që dolën nga ky regjistrim përdoren shpesh si burim informacioni në këtë raport. Kur është fjala për migracionin e brendshëm, Vrojtimi i Matjes së Standardeve të Jetesës (LSMS) përdoret shpesh për të vlerësuar përhapjen e kësaj dukurie. Një Vrojtim i kohëve të fundit për Matjen e Standardeve të Jetesës u krye nga INSTAT në vitin 2005 duke përdorur të dhëna nga tre rajone të Shqipërisë: veri (që përfshin prefekturat Shkodër, Kukës, Dibër); qendër/bregdet (prefekturat Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier, Elbasan) dhe jug (prefekturat Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë). Informacioni që mblidhet në nivel rajonal është i dobishëm për identifikimin e prirjeve dhe strukturës, ngjashmërive dhe ndryshimeve brenda dhe ndërmjet rajoneve. Vëzhgimet në familje përdoren shpesh për të mbledhur informacion mbi praninë dhe ndikimin e migracionit në nivelin e familjes. Me gjithë kufizimet (identifikimi dhe mundësia e arritjes, subjektiviteti, prirja e frenimit, mangësia e të dhënave, etj), vrojtimet në nivel familjeje ofrojnë informacion të gjerë që përshkruan madhësinë e migracionit në shkallë të gjerë dhe të ngushtë.
Qëllimet e studimit
Objektivi i përgjithshëm i studimit ishte përshkrimi i karakteristikave të migracionit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në Shqipëri dhe identifikimi i zonave më të prekura nga kjo dukuri. Më tej studimi synon të identifikojë faktorët shtytës dhe tërheqës që çuan personat e intervistuar në vendimin për të migruar dhe për t'u kthyer. Për të mbledhur informacion rreth profilit të migracionit të brendshëm, ndërkombëtar dhe atij të kthimit u përdor si metodologjia sasiore ashtu edhe ajo cilësore. Profili demografik është konsideruar një komponent thelbësor i studimit sepse ofron të dhëna të pasura për karakteristikat e personave të cilët kanë kaluar forma të ndryshme të migracionit, duke përfshirë moshën, arsimimin, statusin civil, vendndodhjen gjeografike, dërgesat në para dhe perceptimet rreth migracionit, përfshirë edhe kthimin. Gjithashtu është vlerësuar dhe prirja për të riemigruar. Gjetjet nga shqyrtimi i literaturës dhe komponentët në terren të studimit janë përdorur për të nxjerrë konkluzione dhe për të hartuar rekomandime për strategjitë dhe ndërhyrjet që mund të lehtësojnë procesin e migracionit të kthimit.
Metodologjia
Ky studim u bazua në një qëllim të dyfishtë. Së pari ne donim të identifikonim dhe të shqyrtonim literaturën përkatëse për çështjen e migracionit shqiptar. Së dyti, donim t'u përgjigjeshim disa pyetjeve që lindën nga faza e shqyrtimit të literaturës përmes një vrojtimi në nivel familjeje. Nga ana tjetër, pjesa e studimit e përqendruar në terren u përpoq të ravijëzonte një profil të migrantëve të kthyer dhe të identifikonte karakteristikat kyçe të kësaj pjese të migracionit si arsyet e kthimit, përvoja e migracionit dhe mundësitë e riintegrimit pas kthimit.
Kombinimi i shqyrtimit të literaturës dhe vrojtimit në nivel familjeje bënë të mundur kryqëzimin e të dhënave cilësore dhe sasiore për të mundësuar kuptimin më të mirë të migracionit shqiptar dhe hartimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve që dolën nga gjetjet. Përveç avantazheve, metodologjia e zgjedhur për këtë studim ka edhe kufizimet e veta. Për shembull, si vrojtimi në familje dhe vrojtimi në nivel grupi u ndërmorën njëkohësisht dhe studiuesit nuk kishin mundësi të shqyrtonin gjetjet vetëm nga një këndvështrim (vrojtimi në familje) përpara se të finalizonin protokollin për të tjerat (vrojtimi në grup). Një tjetër kufizim ka të bëjë me natyrën e vrojtimit në familje; ai siguron informacion të bollshëm rreth përhapjes së fenomenit (p.sh. shpërndarja e e migracionit të brendshëm/ndërkombëtar sipas rajoneve) por nuk shqyrton në thellësi arsyet fillestare që çojnë në procesin e migracionit. Me fjalë të tjera, informacioni i mbledhur është me natyrë përshkruese dhe nuk ofron mundësinë për të hartuar konkluzione themelor apo të lidhura me to.
Rekomandimet për studimet dhe hartime politikash të mëtejshme
Edhe pse shumica e gjetjeve në seksionin e mësipërm nënvizuan shumë sugjerime të dala nga shqyrtimi i literaturës dhe komponenti i vrojtimit, ky seksion përmbledh rekomandimet dhe sugjerimet që mund të japin informacion mbi studimet e ardhshme dhe praktikat që i drejtohen dukurisë së migracionit shqiptar. Ka shumë literaturë të mbledhur nga burimet studimore, shkencore, qeveritare dhe institucionale që duhen marrë në konsideratë kur fillon një tjetër studim dhe ndërhyrje në këtë fushë. Edhe pse migracioni shqiptar është një dukuri komplekse dhe shumë dimensionale, të dhënat ekzistuese duhet të merren parasysh në formulimin e pyetjeve të studimit dhe në hartimin e strategjive të ndërhyrjes. Veç kësaj, kryqëzimi i studimeve të ndryshme që përfshijnë qasje sasiore dhe cilësore, burime qeveritare dhe joqeveritare, mund të lehtësojnë një kuptim të plotë të përhapjes dhe pasojave të migracionit në kontekste të ndryshme: individi, familja, tregu i punës dhe shoqëria në tërësi. Studimi dhe praktikat që fokusohen tek migracioni duhet të informojnë vazhdimisht njëra - tjetrën.
Të gjitha palët e përfshira në këto procese duhet të jenë pjesë e një komuniteti që e sheh migracionin jo si problem, por si burim zgjidhjesh dhe zgjedhjesh për individët dhe familjet e përfshira në të. Siç është përmendur disa herë në këtë dokument, migracioni është një dukuri shumëdimensionale dhe e përhapur në shoqërinë tonë, që meriton vëmendjen e të gjithë anëtarëve të komunitetit. Për më tepër asistenca duhet të ofrohet në përputhje me nevojat e ndryshme, bazuar në një vlerësim të hollësishëm të individëve dhe njësive familjare. Shoqëria mund të përfitojë nga rritja e ndërgjegjësimit rreth kësaj dukurie e cila është komplekse, e përhapur dhe me shumë dimensione.
Së dyti, migracioni i brendshëm, edhe pse jo me shtrirjen e migracionit ndërkombëtar, mund të çojë në pakësimin e burimeve njerëzore dhe të zhvillimit në prefekturat e origjinës dhe ngjallin një ndjenjë kaosi në infrastrukturën e prefekturave pritëse. Sistemet kyçe si ai shëndetësor, arsimor dhe sektorët e zhvillimit preken më shumë, dhe ndërhyrjet e qeverisë duhet të përqendrohen në monitorimin nga aftër të procesit të migracionit të brendshëm për të penguar efektet negative të këtyre proceseve.
Së treti, migracioni ndërkombëtar mbetet një dukuri dinamike dhe në zhvillim. Arsyet për migrimin jashtë vendit variojnë nga ato ekonomike, tek bashkimi familjar dhe kërkimi i mundësive më të mira etj...
Marrë nga revista "Mapo"