English

Spekulime për Dajtin te "Hakmarrja", flet Orik Shyti: Berisha ka ndryshuar taktikë

Tiranë, 16 Gusht NOA - Dyshimet e dala ditët e fundit në mediat e Tiranës lidhur me përfshirjen e aluduar të Dritan Dajtit në atë që cilësohet si "Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi", kanë sjellë sot reagimin e Orik Shytit, i konsideruar nga drejtësia shqiptare si kapo i "organizatës", akuzë të cilën kurrë nuk e ka pranuar.

Në një prononcim për agjencinë e lajmeve NOA, Orik Shyti ka folur mbi marrjen në pyetje nga policia të Dritan Hates, i akuzuar si anëtar i "Hakmarrjes", duke aluduar se "Dritan Dajti lidhet me "Hakmarrjen" nëpërmjet Dritan Hates dhe se... (çudirat e këtyre lidhjeve do dalin më vonë)".

Në këtë pikë, Orik Shyti komenton: "Nuk e di se cilët janë miqtë e Dritan Hates, se nuk kam pasur asnjë lloj lidhje me të, në asnjë kohë. Madje, për mungesën e lidhjeve falsifikatorët e procesit kanë krijuar edhe një të çarë më shumë në procesin e manipuluar. Haten e akuzojnë për një krim të vetëm dhe për atë krim nuk akuzohem unë, "koka" e "Hakmarrjes". Pra as Hatja nuk është akuzuar se ka pasur ndonjë lidhje me mua.

Mirëpo, meqë Sali Berisha ka ndryshuar taktikë (ia ka ndaluar shtypit të tij të botojë shpifje për "Hakmarrjen"), shërbëtorët e tij në krye të policisë ua japin ato si "informacion konfidencial" gazetarëve të gazetave të pavarura, të cilët nga naiviteti apo për arsye të tjera, përfshi edhe ato komerciale, i botojnë si të vërteta".

"Pak më herët, - vijon reagimin e tij Orik Shyti, - disa muaj pasi Berisha kishte filluar detyrën e kryeministrit, Haten e arrestuan dhe pasi i dhanë shtypit "fakte" për krimet që kryente në Shqipëri në emër të "Hakmarrjes", deri edhe me urdhra që i merrte nga jashtë shtetit (nënkuptoheshim ne që ishim azilantë), e dënuan me një vit burg". Arsyeja e dënimit: kishte parë armë dhe nuk e kishte pyetur mbajtësin e tyre, kishte apo nuk kishte leje nga policia. Nuk po e banalizoj, por të dënosh një shtetas se nuk ka kallëzuar dikë në polici për mbajtje arme pa leje, do të thotë se shtetasit kanë për detyrë të pyesin i kanë apo nuk i kanë me leje armët ata që i mbajnë".

Orik Shyti kujton edhe faktin se "ditën që ndodhi vrasja e katër policëve në Durrës", një televizion informativ, "me titra shkruante se "Dritan Dajti" është anëtar i "Hakmarrjes për Drejtësi"".

Kurse vijon reagimin e tij duke përmendur se gazetarë të caktuar në vite kanë pasur "për detyrë të "zbulonin" lidhjet e "Hakmarrjes" me Kamorën dhe organizata të tjera kriminale ndërsa Saliu të drejtën e federimit në "Hakmarrje" të cilido që i zinte rrugën".

Duke reaguar edhe mbi këtë fakt, Orik Shyti vlerëson se "informacioni i servirur, ndoshta krijoi terren që të besohen pisllëqet që po shiten dhe tjera që do të shiten më vonë".

/a.k/k.k/NOA/

KOMENTE