Tiranë, 17 Gusht NOA - Partia Demokratike reagoi pa vonesë ndaj akuzave të PS sot në mesditë se në vend ka nisur krizë ekonomike.
"Kryetari mandat prerë i Partisë Socialiste, krizën e Partisë së tij dhe krizën personale u përpoq ta shpreh sot me zëdhënësit e tij si një krizë të përgjithshme ekonomike", - ishte konsiderata e PD që erdhi përmes zëdhënëses Erla Mëhilli.
Sipas saj, "ky është një nga trillimet më bajate të këtij humbësi të madh, pra të z.Rama, i cili nga nëntori i vitit të kaluar e gjeri sot nuk flet për gjë tjetër përveçse për krizë ekonomike në Shqipëri".
Lidhur me akuzat e sotme, PD sqaroi se prokurimet publike në 6 mujorin e dytë të vitit jo vetëm që nuk janë ndërprerë por vetëm gjatë muajit Korrik dhe fillimit të Gushtit janë tenderuar ndërtimi dhe rindërtimi i 316 shkollave në mbarë vendin, i qindra kilometrave rrugë dhe i dhjetëra ujësjellësve e kanalizimeve si dhe janë tenderuar një sërë prokurimesh të tjera.
"Shqipëria nuk është në krizë ekonomike", - këmbënguli Mëhilli, duke shtuar se "në krizë të thellë shpirtërore dhe politike është z.Rama për humbjen e mandatit të tij".
Ajo shtoi se vetëm në këtë Korrik, Shqipëria është vendi i vetëm me rritje 36% të turizmit krahasuar me Korrikun e vitit të kaluar, dhe se Korridori i Kombit, të cilin siç komentoi zëdhënësja e PD, z.Rama e shpalli si korridorin e asgjëkundit, ka dyfishuar kalimin nga pika e Morinës.
PD vlerëson gjithashtu se Shqipëria nuk është në krizë por në krizë ka zhytur Rama Partinë Socialiste sepse ekonomia shqiptare ka një rritje mbi 6 %dhe të ardhurat buxhetore të këtij viti janë rreth 8% më të mëdha se të vitit të kaluar.
Kurse thekson se "mund të ketë vërtet kompani të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës që z.Rama nuk i paguan por nuk ka asnjë situacion të certifikuar të papaguar nga mazhoranca aktuale".
/e.l.e.n/NOA/
Lexoni si erdhi reagimi i PD: PS: Shqipëria po zhytet në krizë, për hir të interesave të një grushti njerëzish
Komentoni lajmin dhe akuzat e PS: