English

Edi Rama: Pse do të jem në krye të Partisë Socialiste

INTERVISTA/ Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, thyen heshtjen paszgjedhore dhe komenton zhvillimet e fundit në PS.

Pas një procesi të gjatë reflektimi dhe dëgjimit të të gjitha zërave, brenda dhe jashtë partisë, Rama ka zbardhur çdo dilemë në lidhje me rikandidimin e tij në postin e kryetarit, marrëdhëniet me "trekëndëshin" e politikës së vjetër Nano-Meta-Berisha, ndryshimet në statut dhe reformën që i nevojitet Partisë Socialiste por edhe për opozitën e re deri në zgjedhjet e parakohshme.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë që Rama i dha gazetës "Shekulli": Që prej përfundimit zyrtar të procesit zgjedhor ju nuk jeni shprehur. As pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare ju nuk keni pranuar të prononcoheni duke zgjedhur një heshtje të zgjatur që ka lënë ngritur një sërë pikëpyetjesh. Ndërkohë, në kampin rozë nuk ka pushuar asnjë ditë debati i hapur për humbjen e zgjedhjeve dhe largimin tuaj nga kreu i PS, të cilin e synojnë të paktën dy persona të tjerë që kanë shpallur publikisht ambicien e tyre. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, ka filluar puna për krijimin e qeverisë mbi bazën e një koalicioni krejt të paparashikuar në një Shqipëri që po fillon të preket seriozisht nga kriza ekonomike. Gazeta jonë dëshiron që ju ta thyeni heshtjen për lexuesin e saj, duke filluar nga pyetja që e bëjnë sot të gjithë pa përjashtim: A do të rikandidoni për kreun e Partisë Socialiste?

Po, unë do të rikandidoj për kreun e Partisë Socialiste. Dhe lejomëni të shtoj se jam krenar që sot, pas një procesi zgjedhor dramatik jo vetëm për ne socialistët, po për demokracinë në Shqipëri, partia që kam drejtuar e reformuar për katër vjet me radhë, është një hapësirë ku ka liri për ekpozimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe mundësi konkrete për të vënë në provën e konkurrencës demokratike çdo alternativë drejtimi në një moment kur kjo forcë e madhe politike duhet e do të ristartojë.

Pse kjo heshtje e zgjatur zoti Rama?

Sepse me përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor për mua ka nisur një proces i domosdoshëm, dëgjimi i të gjithë zërave, brenda e jashtë partisë, në hapësirën e debatit publik apo në rrugët e komunikimit jopublik me shumë njerëz, të njohur e të panjohur, mbështetës dhe jo, të qëndrimeve e ideve të mia. Ky dëgjim ngulmues vlen për të kuptuar sa më gjerësisht, analizuar sa më thellësisht dhe sintetizuar sa më qetësisht të gjitha mendimet e idetë që lidhen me zgjedhjet e saposhkuara, me gjendjen aktuale politike, ekonomike e sociale të vendit, me mbarëvajtjen e Partisë Socialiste, me të nesërmen e saj dhe, natyrisht, edhe me punën e rolin tim dje, sot, nesër. Kam dëgjuar dhe do të vazhdoj të dëgjoj me shumë vëmendje çdo zë, për të bërë më të mirën për njerëzit, vendin dhe Partinë Socialiste. Por ndërkohë nuk është se kam heshtur pas përfundimit zyrtar të procesit zgjedhor. Thjesht zëri im është bashkuar me zërin e Asamblesë Kombëtare në rezolutën që përcakton qartësisht qëndrimin tonë për zgjedhjet e 28 qershorit. Eshtë zëri i përbashkët i asamblesë që i kërkoi Kongresit të Jashtëzakonshëm miratimin e këtij qëndrimi, me synimin për ta pozicionuar qartë Partinë Socialiste në raport me maskaradën zgjedhore dhe piketuar rrugën e një opozite që do të synojë zgjedhjet e parakohshme, për t'i ridhënë legjitimetin e plotë një parlamenti me sovranitet të cunguar, ku do të dalë së shpejti një qeveri që është pasqyra besnike e kësaj maskarade.

Po ndërkohë, në Asamblenë Kombëtare, edhe pse në shumicë dërrmuese, ky zë nuk ka qenë i vetmi. Një zë tjetër, i një pakice sado të vogël, ka kërkuar pranimin e menjëhershëm të humbjes, njohjen e rezultatit pa kushte dhe largimin tuaj nga kreu i PS pa të drejtën për rikandidim(?)

Do të shqetësohesha po të mos kishte asnjë zë pakice, aq më tepër në kushtet kur nuk kemi fituar. Kjo është natyrshëm koha për debat të brendshëm dhe natyrshëm në një parti të madhe e demokratike si e jona, ka njerëz që kanë mendimet e ambiciet e tyre, krejt të ndryshme në këtë rast nga të shumicës ku hyj edhe unë. Rëndësi ka që ky debat të jetë emancipues dhe jo regresiv, që pakica të respektohet në të drejtën demokratike për të ekspozuar qëndrimin e saj dhe shumica në të drejtën, gjithaq demokratike, që të gjithë të respektojnë vendimin e saj, që kultura e organizatës të konsolidohet më tutje si kultura e një bashkimi vullnetar, ku mendimi ndryshe nuk nënkupton marrjen peng të organizatës nga pakica dhe ku askush nuk "faktorizohet" për të marrë atë që nuk i takon përmes shkeljes së etikës së bashkëjetesës apo "kurajos" për të thyer rregullat që e dallojnë një organizatë të madhe përfaqësuese, siç është PS-ja sot, nga një përfaqësi e çorganizuar interesash të vogla, siç ka ndodhur të katandiset PS-ja në të shkuarën. Pakica, në këtë rast, duket se nuk është pajtuar me qëndrimin e Asamblesë Kombëtare dhe ka hartuar një platformë ndryshimesh statutore, me synimin që t'ia paraqesë Kongresit të Jashtëzakonshëm, gjë për të cilën po mblidhen edhe firma delegatësh të kongresit. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre ndryshimeve?

Statuti nuk është as Bibël as Kuran, po vetëm kuadër parimesh themelore e organizative që duhet t'i adoptohen vijimësisht rrethanave dhe ekzigjencave të kohës që ecën me shpejtësi e me të cilën duhet të ecë medoemos edhe një forcë e madhe politike siç është Partia Socialiste. Ndryshime në këtë kuadër janë bërë në të shkuarën dhe do të vazhdojnë të bëhen sa herë të gjykohet e nevojshme. Madje në kushtet e në momentin aktual, nuk është hiç e paarsyeshme që të mendohet edhe për to. Por e rëndësishme është të mos ngatërrojmë radhën e punëve dhe të mos nxjerrim sytë për të vënë vetulla. Sepse sot jemi në prag të një kongresi të jashtëzakonshëm që duhet të vendosë për dy çështje esenciale jo thjesht për PS-në, po për politikën opozitare të vendit, pas një maskarade zgjedhore e cila ka deformuar vullnetin e zgjedhësve duke nxjerrë një rezultat të gënjeshtërt e të papranueshëm për shumicën. Ky kongres duhet të vendosë për qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj zgjedhjeve, që automatikisht përcakton edhe linjën e profilit të saj opozitar, si edhe për hapjen e procesit zgjedhor për kryetarin e partisë. Duke pasur një barrë të tillë, kongresi i 29 gushtit nuk mund të trajtojë dot ndryshime statutore, të cilat kanë nevojë për një konsultim gjithëpërfshirës, të shtrirë në çdo strukturë të bazës së partisë dhe padyshim të shtrirë edhe në një kohë të arsyeshme për analiza serioze e diskutime shteruese që nuk e kemi kurrsesi deri në 29 gusht. Thënë sa më lart, unë nuk mendoj se është e arsyeshme të ngrihet një "platformë" ndryshimesh statutore thjesht për të mbledhur firma delegatësh të kongresit. Të cilat, le themi hapur të vërtetën, i pozicionojnë delegatët kundër njëri-tjetrit, jo për hir të ndonjë debati real për reformë statutore, po vetëm për hesap të njërit a tjetrit, në kërkim të një mbështetjeje në kongres, kundër zhvillimeve të parashikueshme. Angazhimi frenetik i të gjithë arsenalit mediatik të Sali Berishës e të Ilir Metës për të promovuar një "platformë" të tillë, deri edhe në lajmet kryesore të vetë Televizionit famëkeq Shtetëror, duhet ta bëjë çdo opozitar të vetëdijshëm minimalisht për faktin se ka një interes jetik të kundërshtarit për ta larguar vëmendjen nga krimi elektoral i 28 qershorit. Për pushtetin e korruptuar që po riprodhohet përmes një mutacioni të dhimbshëm, pas një deformimi kriminal të vullnetit të popullit sovran në 28 qershor, diversioni konstant në kampin tonë dhe nxitja me çdo mjet e sherrit mes nesh janë e vetmja rrugë për të marrë kohë e mbajtur në distancë të menaxhueshme presionin e pashmangshëm të opionionit publik. Kurse për ne është koha për të mos humbur minuta të çmuara, po për ta udhëhequr me vizion e kurajo këtë presion mbi një qeveri që s'mund të tolerohet për asgjë, sepse është ngritur jo mbi vullnetin e lirë të popullit Sovran, po mbi një krim elektoral që duhet zbardhur tërësisht, denoncuar vijimësisht dhe dënuar masivisht, me një votë popullore të parakohshme. Kjo nuk është koha për të relativizuar efektin shkatërrues që makineria e manipulimit dhe korrupsionit elektoral pati mbi procesin zgjedhor, po për ta nxjerrë atë në pah publikisht në të gjitha rrugët e instancat e komunikimit publik. Kjo nuk është koha për të kërkuar nga brenda Partisë Socialiste atë që Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë dëshpërimisht nga jashtë saj, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor të gënjeshtërt e të papranueshëm nga ana jonë. Kjo është koha për të ndarë qartë, prerë, pa asnjë ekuivok, çdo përgjegjësi për mosarritjen e fitores së merituar në 28 qershor, padyshim edhe brenda nesh, por ama duke e filluar nga përgjegjësia themelore që në asnjë mënyrë nuk është e jona që u grabitëm, po e atyre që na grabitën. Dhe përgjegjësia themelore, pa asnjë mëdyshje, është e Sali Berishës dhe e pushtetit të tij të korruptuar e korruptues, që e ktheu shtetin e të gjithëve në një makinë elektorale të pushtetit të disave, që përdori gjithçka, që nga presionet banditeske mbi qytetarët, te manipulimet me listat e zgjedhësve, tek fondet publike e paraja e zezë, tek vrasësit e trafikantët e nxjerrë paligjshmërisht nga burgjet, e deri tek ushtarët e KQZ-së e gjykatësit e gjunjëzuar, për të përmbysur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Kjo është koha për të kuptuar se kush fal krimin e 28 qershorit, jo vetëm amniston keqbërësit e mëdhenj, duke legjitimuar parlamentin e krijuar nga plaçkitja e votës dhe qeverinë e tyre të krijuar për të plaçkitur më tej Shqipërinë, por fal edhe vetë zgjedhjet e ardhshme. Madje edhe ato mbas tyre.

Po mesa duket, ky i ndryshimeve statutore është mekanizmi që kundërshtarët tuaj brenda partisë, të cilët nuk e duan rikandidimin tuaj kanë gjetur për të vënë në lëvizje kundër jush një numër të caktuar delegatësh që zor se do të hidhnin firmën kundër rikandidimit tuaj apo jo? Të paktën kështu janë shprehur disa nga firmëmbledhësit e pyetur për psenë e kësaj nisme.

Së pari, unë nuk i shoh si kundërshtarë të mitë brenda partisë ata që janë kundër rikandidimit tim, po si kolegë të cilët në ndonjë rast janë në të drejtën e tyre të kenë ambicie për t'u ulur në karrigen e kryetarit, pavarësisht se për këtë arsye të vogël gabojnë në gjykimin e diçkaje shumë më të madhe sesa karrigia e kryetarit; në ndonjë rast tjetër, shprehin në mënyrë të gabuar një nevojë të kuptueshme për të hequr nga vetja vështrimet fajësuese për kontributet që kanë dhënë në vendimmarrje të caktuara; në të tjera raste, thjesht nuk fshehin dot mërinë fëminore për një arsye a një tjetër në marrëdhëniet e punës me mua apo, përgjithësisht, në rastin më përfaqësues, duan "të marrin hak" për mospërfshirjen e tyre në listat e deputetëve. Por, në fund të fundit, kjo është një shfaqje e veçantë ambiciesh e dobësish njerëzore që nuk zhvleftëson në vetvete çdo pretendim e argument të tyre. Të cilët i falënderoj, edhe pse përgjithësisht nuk jam dakord me ta, dhe i ftoj që në këtë moment të vështirë të dëgjojmë me sa më shumë respekt njëri - tjetrin, duke mos harruar të dëgjojmë, në radhë të parë dhe me respektin më të madh, socialistët e socialistet në të gjithë Shqipërinë. Së bashku padyshim me shumë të tjerët që në 28 qershor e bënë Partinë Socialiste forcën më të madhe politike në Shqipëri. Dëgjimi i palodhur gjatë gjithë kësaj periudhe formësoi brenda meje bindjen se Gramozi, Namiku, Pandi, Arta, Vali, Ermelinda e të tjerë miq e bashkëpunëtorë me radhë në grupin tonë të ri parlamentar, bashkë me Profesor Servetin e të tjerë akoma vetëm pak ditë pas 28 qershorit, kishin të drejtë kur më kërkuan të rikandidoj për të drejtuar Partinë Socialiste pas një beteje që nuk e fituam dot, jo sepse u kundërvotua projekti ynë, po sepse u deformua vullneti i popullit sovran. Dhe ky është rasti për t'iu thënë të gjithë kërkimtarëve të moralit e të standardeve më të larta perëndimore në një nen të statutit të partisë sonë se po, është e vërtetë, dorëheqja e parevokueshme e liderit është një akt moral e civil i admirueshëm, madje i rrallë edhe në Europë e Shtetet e Bashkuara, kur humbet zgjedhje të moralshme të standardeve perëndimore që rrëzojnë me votë të pacënuar projektin përkatës politik. Por në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet e njëjta gjë në kushtet kur, jo vota e popullit, po makinacionet e hapura e të fshehta të një pushteti të korruptuar e korruptues të mohojnë të drejtën e rezultatit që buron nga vullneti i zgjedhësve. Në këto kushte, morali dhe civilizimi demokratik perëndimor merren si pikë referimi për t'u dorëhequr duke hapur debatin dhe garën brenda partisë, ku rikandidimi, siç tregojnë raste të ndryshme, nuk është vetëm një dëshirë e individit po një vendim që buron në radhë të parë nga nevoja e forcës politike. Brenda saj, Partia Socialiste ka ndjekur pikërisht trasenë e moralit e të civilizimit demokratik perëndimor, duke i hapur rrugë debatit dhe konkurrimit të lirë për lidershipin. Kurse konkretisht për mua, ky rikandidim ka marrë formë jo thjesht nga besimi tek fuqia ime për ta udhëhequr në drejtimin e duhur Partinë Socialiste, por në radhë të parë, nga vetëdija e një detyrimi të patjetërsueshëm vëllazëror, politik e qytetar ndaj shumë njerëzve, bashkëpunëtorë të afërt e mbështetës të panjohur, që i falenderoj sot publikisht për mbështetjen e tyre, si edhe ndaj atyre qindramijëra njerëzve që besuan e besojnë tek projekti i kësaj force të madhe politike. Të cilën dëshpërimi i natyrshëm dhe zemërata e ligjshme për humbjen e pamerituar nuk duhet ta çojnë kurrsesi mbrapa, po vetëm përpara. Përpara për një mision që vazhdon!

I gjithë ky debat brenda opozitës bëhet teksa një gjymtyrë e saj është shkulur nga trupi i opozitës dhe i është bashkuar pushtetit. Vota për LSI-në ka rezultuar votë për Sali Berishën dhe së shpejti ajo që askush nuk e besonte me të vërtetë, do të jetë realitet: Sali Berisha dhe Ilir Meta do të qeverisin bashkë, krah për krah. Por ndërkohë, zërat kundër jush në PS, bashkë me disa zëra analistësh në media, thonë se pa joshur Ilir Metën dhe bashkë me të Fatos Nanon, socialistët janë të destinuar të humbasin përsëri. Ju si mendoni?

Kjo e sotmja nuk është një bisedë që mund të ezaurojë të gjithë problematikën e situatës postzgjedhore në vend, të cilën do ta analizojmë e trajtojmë me tërë kujdesin e nevojshëm në Partinë Socialiste dhe me të gjithë opinionin publik. Por mund të them se vendi sot ka një gjendje shumë kritike të demokracisë e të ekonomisë dhe çifti i ri politikës së vjetër në pushtet, vetëm do ta rëndojë këtë gjendje. Ndërkohë që ideja se për të ardhur në pushtet ne duhet të kthehemi tek PS-ja e vjetër, është jo vetëm në kundërshtim me sensin historik e me misionin e kësaj partie, po edhe pa asnjë përputhje me domosdoshmërinë që ka sot shumica e shqiptarëve për t'u ndarë nga politika e vjetër e Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Të cilët janë bërë bashkë, kanë dalë hapur, të tre të angazhuar në një front kundër opozitës dhe në dëm të interesave të vendit në tërësi. Për të përfituar sa të munden nga ndarja e plaçkës publike në kohën që iu ka mbetur dhe për të dobësuar e mundësisht kontrolluar Partinë Socialiste, me qëllim zgjatjen e kohës së këtij pushteti interesash krejt të shkëputura nga interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve, këta tre njerëz që s'kanë lënë gjë pa thënë e pa bërë kundër njëri-tjetrit, sot po iu shfaqin pa asnjë perde shqiptarëve të gjithë pafytyrësinë e politikës së vjetër. Dhe po iu tregojnë pa asnjë gajle sesa shumë janë tallur me ta ndër vite, duke vazhduar t'iu thonë se e mira e vendit i ka hedhur në prehrin e njëri-tjetrit. Brenda logjikës së atij pazari të politikës së vjetër, të cilit ne i'u kundërvumë vendosmërisht me projektin e politikës së re, Ilir Meta trafikoi 83 mijë zemra që në 28 qershor rrahën fort për largimin e Sali Berishës, pikërisht për të mbajtur Sali Berishën në një pushtet të cilit Iliri i'u bashkangjit me ngut për të marrë pjesën e tij në plaçkitjen e vendit, sipas një plani të bërë kohë më parë. Kurse Fatosi, pasi bëri shërbimin e radhës për Saliun, duke e goditur Partinë Socialiste publikisht dhe kërkuar votën kundër saj përpara 28 qershorit, priteni kur të rishfaqet! Për të vazhduar avazin e nisur kohë më parë, me shpresën e neveritshme se Sali Berisha, tashmë bashkë me Ilir Metën, do t'i japin në këmbim të shërbimit të turpshëm për përçarjen e PS-së jo vetëm pjesën e tij nga plaçkitja e Shqipërisë, po edhe kolltukun e shumëndërruar që i'u mohua dy vjet më parë sepse nuk kishte shërbyer aq sa duhet për ta çthurrur familjen tonë politike. Ku do të ndryshojë opozita e pas 28 qershorit nga ajo e para 28 qershorit?

Le t'ia lemë Kongresit të Jashtëzakonshëm dhe muajve në vijim shtjellimin e profilit të ri që do të ketë opozita jonë ndaj një pushteti të grabitur me manipulime e korrupsion elektoral, i cili rri në këmbë vetëm për të grabitur prona e fonde publike me manipulime e korrupsion qeveritar. Unë jam gati ta udhëheq opozitën në një betejë që vazhdon me të vjetrën në pushtet për t'i dhënë jetë një pushteti të së resë. Nga një anë më vjen mirë që Sali Berisha e ka kuptuar i pari se me mua në krye Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për pushtetin e tij të korruptuar e korruptues që pas 28 qershorit po godet egërsisht, përballë e pas shpine, të gjitha ato forca ende të lira të kësaj shoqërie në politikë, media e sipërmarrje, të cilat nuk i nënshtron dot me fuqinë e parasë e të privilegjeve të pushtetit. Por, nga ana tjetër, më vjen keq që atë që e ka kuptuar Saliu nuk e kanë kuptuar akoma njerëz publikë të cilët lirinë e tyre pas 28 qershorit po e përdorin në një përpjekje absurde për të kufizuar lirinë e popullit opozitar për të zgjedhur lidershipin dhe rrugën e vet në kushtet e reja të luftës politike në Shqipëri. Në një kohë kur kundërshtarët, apo siç doni t'i quani ju kolegët që synojnë karrigen tuaj, kanë shpallur platformat e tyre, ju a do të keni një platformë për fushatën zgjedhore brenda Partisë Socialiste apo, do të mjaftoheni me kontestimin e zgjedhjeve dhe të parlamentit e qeverisë që prodhuan këto zgjedhje?

Siç ju thashë më parë, unë jam shumë i angazhuar në dëgjimin e të gjithë zërave, padyshim në radhë të parë të zërit të socialistëve në të gjithë Shqipërinë, por gjithashtu jam po aq i angazhuar në një proces reflektimi për atë që duhet bërë për të përballuar betejën politike me këtë regjim të egër korrupsioni të ustallarëve të politikës së vjetër. Kjo betejë kërkon një angazhim të gjithanshëm, pjesë e të cilit është edhe reformimi i mëtejshëm i partisë. Ky reformim, sikundër e theksova, nuk mund të jetë as i improvizuar në formën e një "platforme" gushtore që thjesht justifikon një nismë për karrigen e kryetarit dhe as i kufizuar në një numër pikash që ndryshojnë në statut me pretekstin e stisur, apo qoftë edhe dëshirën e mirë për demokratizimin e partisë. Reformimi i mëtejshëm i partisë, të cilin, më lejoni ta them, e kisha paraparë edhe në rast fitoreje, pikërisht sepse e kam thënë me kohë, besoj tek nevoja për reformim të vazhdueshëm në një organizatë që synon të jetë pasqyrë e kohës që ndryshon - reforma e fundit strukturore dhe më radikalja në Bashkinë e Tiranës është bërë menjëherë pas fitores së 18 shkurtit - duhet të bëhet e padyshim do të bëhet. Në asnjë mënyrë jo duke e përjashtuar mundësinë e marrjes në konsideratë të propozimeve të dala deri sot, përkundrazi duke i konsideruar seriozisht edhe ato. Por reformimi që na duhet kërkon një angazhim të rëndësishëm energjish njerëzore dhe kohe në dispozicion brenda një axhende opozitare të ngjeshur. Një reformë e tillë kërkon të paktën të gjithë pjesën e mbetur të vitit përsa i përket kohës. Ajo duhet të bëhet mbi themelet e një analize dinjitoze të shumanshme dhe nuk duhet të katandiset në asnjë mënyrë thjesht tek ristrukturimi organizativ pa analizuar më parë me seriozitet e kompetencë çdo aspekt të gjëndjes funksionale të partisë sonë. Kjo analizë e domosdoshme duhet të rrokë të gjithë problematikën e sotme me një këndvështrim të gjerë që shkon nga e shkuara tek ardhmja, nga brenda vetes jashtë saj dhe anasjelltas. Për të përmirësuar cilësisht kulturën e punës e të rezultatit në Partinë Socialiste, ku secili duhet të ketë jo vetëm të drejta, po edhe detyra të përcaktuara, jo vetëm më shumë mundësi që të ndikojë në vendimmarrje, po edhe më shumë përgjegjësi që burojnë nga forca e vet ndikuese, ku bashkimi ynë vullnetar të jetë shumë më shumë një bashkim punëtorësh të mirë të kauzës së përbashkët dhe ku liria e secilit të mos jetë asnjëherë argument për t'iu shmangur detyrimeve serioze që burojnë nga përfaqësimi i shumë të tjerëve. Për të rikonceptuar opozitën si tërësi forcash e individësh të organizuar ose jo në grupime politike dhe për t'iu dhënë të gjithë faktorëve të vegjël të saj mundësinë të riorganizohen e kontribuojnë në një platformë të përbashkët që maksimalizon goditjen opozitare dhe fuqinë e alternativës sonë qeverisëse. Për të shtjelluar më gjerësisht me opinionin publik bazën vlerore e programore të Partisë Socialiste, në funksion të një politike të re që më shumë se asnjëherë tjetër i duhet njerëzve e vendit, por që po ashtu si asnjëherë më parë, duhet të transmetohet tek publiku jo thjesht e vetëm përmes figurave kryesore të partisë, po përmes gjithë rrjetit të anëtarësisë së saj. E cila në një mënyrë të re duhet të komunikojë e ballafaqohet drejtpërdrejt me përfaqësuesit e vet në parlament apo forumet drejtuese qendrore të partisë. Ky reformim i mëtejshëm është i detyrueshëm, por, e përsëris me këmbëngulje, në asnjë mënyrë nuk duhet të na ngatërrojë radhën e punëve dhe nuk mund të lëvizë pikën e parë të axhendës sonë opozitare që është beteja pa vonesë e kompromis për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri, duke shpëtuar zgjedhjet nga kthetrat e këtij pushteti të korruptuar e korruptues.

KOMENTE