English

Ekstradohet nga Milano, për sulm me armë ndaj 3 të rinjve në Tiranë

Tiranë, 17 gusht NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ekstradoi sot nga Milano e Italisë, drejt Shqipërisë, një shqiptar të akuzuar për sulm të armatosur.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit, i thanë agjencisë së lajmeve NOA se mbërriti në pranga sot në mesditë, 36-vjeçari Armand Dibra, lindur dhe banues në Tiranë.

"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.262, datë 27 prill 2009, ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.800, datë 05.06.2008 të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe deklarimin e tij fajtor e dënimin me 13 vjet heqje lirie për veprën penale të "Vrasjes me dashje" të mbetur në tentativë", - detajoi policia.

Ngjarja për të cilën Armand Dibra është deklaruar fajtor ka ndodhur në datën 11 prill 1997, rreth orës 13:20, në vendin e quajtur "Oxhaku", në Tiranë.

Pas një grindjeje banale, Armand Dibra ka qëlluar me breshëri, me një armë automatike në drejtim të automjetit ku ndodheshin të rinjtë nga Tirana, Arjan H., Sabaudin H. dhe Juljan P..

Policia e Shtetit tha se Dibra është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë më 06 shkurt 2009, në Itali. Ekstradimi i tij u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dhe Interpol Romës, tha Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

/e.l/k.k/NOA/

KOMENTE