Gjirokastër, 17 gusht NOA - Një djalë nga Fieri ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri dhe dyshimet e policisë të çojnë në një vetëflijim për shkak të dashurisë së parealizuar me një vajzë nga Lazarati ku punonte prej pesë vjetësh si çoban.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA raporton se Klodian Alushi, 23 vjeç, lindur në fshatin Belishovë të rrethit Fier dhe banues në qendër Sektor Seman në Fier, ka humbur jetën si pasojë e plagës që kishte marrë në zemër nga një armë zjarri pushkë njëzetëshe.
I ndjeri u gjet nga një person i rastësishëm mbrëmë rreth orës 20.00 dhe ai lajmëroi në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.
Forcat policore shkuan në vendngjarje, në fshatin Shtëpëz i Vjetër, të Komunës Picar Gjirokastër ku gjetën të riun e vrarë me armë zjarri.
Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër konkluduan pasi kryen hetimet e para, se i riu fierak, për shkaqe ende të paqarta, ka shkuar në një shtëpi të braktisur që ju shihni në foto, në fshatin Shtëpëz të vjetër të Komunës Picar të rrethit Gjirokastër dhe atje është shtrirë në një shtrat të sajuar që e shihni në foton e parë që shoqëron lajmin, ku edhe ka bërë qitje duke i dhënë fund jetës.
Pasi u kryen veprimet e para hetimore, kufoma u dërgua në morgun e spitalit Gjirokastër për veprime të mëtejshme nga Eksperti Mjeko - Ligjor, ndërsa vendi i ngjarjes u ruajt me forca policie deri në orën 06.00 të ditës së sotme, pasi nuk mund të kryheshin veprime për shkak të errësirës.
Rreth orës 06.00, të ditës së sotme grupi hetimor rifilloi përsëri veprimet në kushtet e ndriçimit të plotë dhe në përfundim të veprimeve ligjore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e kufomës dhe veprimeve të tjera proceduriale dhe hetimore.
Gjithashtu, grupi hetimor tregoi për agjencinë e lajmeve NOA se mblodhi dhe dëshmi të marra në vendin e ngjarjes dhe tha se rezultoi që Klodian Alushi, si pasojë e depresionit, është vetëvrarë me një plumb në zemër, me një armë zjarri pushkë njëzetëshe, të cilën sipas dëshmitarëve e kishte gjetur në një shtëpi të braktisur atë ditë.
Burimet nga grupi hetimor treguan për agjencinë NOA se kanë konstatuar se shkaku i vetëvrasjes ishte depresioni për një lidhje dashurore me një vajzë nga fshati Lazarat pranë rrethit Gjirokastër.
Në të vërtetë, i riu kishte rreth 5 vjet që punonte me ndërprerje (punonte 6 muaj, ikte, pastaj vinte prapë) si çoban në këtë fshat dhe së fundi kishte rreth 5 muaj që kishte ardhur përsëri.
/v.d/e.l/NOA/