Durrës, 17 gusht NOA - Sërish plaçkitje pushuesish në zonën e plazhit të Durrësit. Duke mos mjaftuar moria e telasheve që gjejnë pushuesit me çmimet e larta, shërbimin joprofesional dhe kushtet ende jo të mira, edhe grabitja nga njerëz që nuk e kanë për gjë të të prishin pushimet e vitit për një celular, nuk po i ndahen.
Policia e Durrësit ka pranuar dje një tjetër denoncim, këtë radhë në Shkëmbin e Kavajës, ku 17-vjeçari L.F. nga Tetova e Maqedonisë, ka kallëzuar se ishte plaçkitur në mes të ditës.
Policia e Durrësit i tha korrespondentit të agjencisë NOA se kreu hetime të shpejta dhe sot, arriti në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të 23-vjeçarit Bujar Asllani, lindur dhe banues ne Burrel.
I riu matjan, rreth orës 09.00 i ka vjedhur me forcë dy celularë të markës "Samsung", turistit maqedonas, L.F. dhe tani do të përballet me drejtësinë e Durrësit, për veprën penale te "vjedhjes".
/a.a/e.l/NOA/