English

Akuzat e Beogradit ndaj Berishës, reagon MPJ: Nuk e ndalim projektin integrues

Tiranë, 18 Gusht NOA - Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ndaj akuzave të Beogradit zyrtar për provokime nga Berisha që cënojnë integritetin territorial të Serbisë.

Burime në MPJ, konfirmuan sonte se palës serbe i është kthyer në mënyrë të menjëhershme përgjigjja dhe Beogradit i është bërë e qartë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë provokimi ndaj Serbisë.

Deklarata vë në dukje se bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, bazohet në respektin e ndërsjellë i cili vjen natyrshëm dhe ka për yll polar, integrimin evropian.

Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë, janë të vendosur që të ecin përpara me liberalizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe uljen e barrierave, thuhet në notën pasuese të MPJ shqiptare.

Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, ndjek në politikën e saj të jashtme, në mënyrë konsekuente objektivat e përbashkëta për integrimin euroatlantik të vendit dhe Republikës së Kosovës, thuhet më tej në reagimin zyrtar të MPJ i cili i ka mbërritur autoriteteve në Beograd.

Republika e Shqipërisë, beson dhe mbështetet fort në idenë se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal, është parakusht për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit, është një tjetër pikë e notës zyrtare.

Republika e Shqipërisë, është e hapur për çdo nismë që synon integrimin rajonal dhe në këtë kuptim, ajo ka aplikuar heqje të njëanshme të regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Serbisë përgjatë sezonit turistik, - thuhet në pikën tjetër të notës zyrtare të qeverisë shqiptare.

Ndërsa evidentohet edhe fakti se në këtë kuadër, me Malin e Zi po aplikohet një pikë e vetme kufitare, duke besuar se lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe ideve, është mënyra më e mirë për të ecur drejt integrimit evropian të qytetarëve të rajonit.

Në fund të notës zyrtare të MPJ, nuk harrohet të ftohet edhe Republika e Serbisë, si vend fqinjë, që të bashkëpunohet në drejtim të liberalizimit të lëvizjes.

Çfarë deklaroi Beogradi

Ministria e jashtme e Serbisë i ka dërguar sot notë proteste Tiranës zyrtare përmes të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd.

Shkak është bërë deklarata e kryeministrit Sali Berisha disa ditë më parë në lidhje me Kosovën dhe unitetin kombëtar.

"Ministria e Punëve të Jashtme dënon shumë ashpër deklaratën provokuese të kryeministrit shqiptar, e cila cënon ashpër sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë", thuhet, mes të tjerash në deklaratë. Ministria e Jashtme e Serbisë i ka deklaruar të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd se deklarata të tilla dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

Deklarata që ndezi debatin

"Raporti im me faktorin politik në Kosovë, është i shkëlqyer. Unë kam marrëdhëniet më të mira, më vëllazërore, si me koalicionin qeveritar, ashtu edhe me opozitën dhe jam i bindur se ky rregull funksionon dhe duhet të funksionojë, edhe për autoritetet apo spektrin politik të Kosovës. Në të gjithë qëndrimet tona, unë gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime, për sa i përket përkatësive partiake. Në këtë kontekst, unë kam inauguruar tunelin Durrës-Kukës, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe gëzimi ynë atë ditë ka qenë i papërshkruar në atë moment, gjë e cila përbënte një simbolikë jashtëzakonisht të rëndësishme për kombin. Marrëdhëniet e mia me zotin Thaçi janë të shkëlqyera dhe ajo që unë dua të shpreh këtu, në projektin e interesit kombëtar, sepse interesi kombëtar është i pari dhe interesi kombëtar i yni pas realizimeve të gjërave më të mëdha siç është pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO, ka projektin e vet për t'u realizuar. Ky projekt konsiston në bashkimin e kombit shqiptar, në zhdukjen e pasojave të ndarjes së padrejtësisë ndër më të mëdhatë që Evropa ka njohur ndonjëherë, ndarjes së tij. Në këtë kontekst, se sapo e them këtë fjalë ndodh që dhe njerëz që rrinë afër meje, thonë se çfarë ka ndërmend ky. Po, kam ndërmend që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen në trojet e tyre, të ndjehen njëlloj. Dhe kam bindjen që z.Thaçi ka të njëjtin përcaktim, sepse ky është një detyrim madhor. Ne do të punojmë, sapo që qeveria e re të krijohet, me vendosmëri të madhe, që të zhdukim të gjitha dallimet që mundojnë qytetarët shqiptarë të Kosovës, kur vijnë në Shqipëri. Ne nuk mund të injorojmë se një shekull ndarje nuk ka pasur pasojat e veta. Në këtë kontekst, me z. Thaçi ne kemi një projekt të mrekullueshëm. Le të më thotë dikush, pse duhet të jenë pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pse po të kalosh nga Strasburgu në Keln, nuk sheh asnjë polic, doganier, asgjë, madje unë shpesh flija në Keln kur nuk gjeja vend në Strasburg. Pse ti mund të ecësh, udhëtosh me makinë nga Brukseli në Strasburg dhe të kalosh në 3 apo 4 shtete, pa të ndaluar askush. Kurse këtu, duhet të ndalim në dy pika kufitare, Morinë dhe Qafën e Prushit. Këto duhet t'i zgjidhim me shpejtësi. I përmenda këto, sepse kam marrë me dhjetëra mesazhe nga qytetarët kosovarë, për mundimin që gjenin në pikën kufitare të Morinës, për të ardhur në Shqipëri dhe radhët e gjata që krijoheshin. Unë do t'i kërkoj edhe Malit të Zi të njëjtën gjë. Pika e Muriqanit, është dhjetëfishuar nga prurjet. Ne krijuam një doganë të përbashkët, të shohim si ta lehtësojmë atë, sepse dhe aty krijohen vështirësi, sidomos në sezon vere. Me zotin Thaçi, në këtë projekt duhet të njësojmë të gjitha praktikat. Nuk mundet në asnjë rrethanë, që Shqipëria dhe Kosova të konsiderojnë njëra-tjetrën si shtete të huaja, absolutisht jo. Natyrisht kjo nuk do të thotë dhe nuk ka të bëjë aspak, me sovranitetin e secilit vend. Por ama, në themel të idesë së bashkimit kombëtar qëndron ideali evropian dhe ne duhet të punojmë shumë. Unë pres me padurim që sapo të krijohet qeveria e re, të nisim me z. Thaçi, njësimin e një mori praktikave, e një mori barrierave që i pengojnë shqiptarët të ndihen një, në të gjithë hapësirën ku ata jetojnë. Dy administrata shtetërore, kjo ishte përzgjedhja e tyre, por këto dy administrata zgjedhore, duhet të shndërrohen në dy mundësi më të mëdha, jo në dy pengesa. Mundësi më të mëdha, qoftë për qytetarët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, qoftë për kontributin e Shqipërisë në rajon dhe në botë. Unë mendoj, se me Thaçin dhe Sejdiu, do të kemi një axhendë shumë të ngjeshur. Unë kam bindjen më të plotë se miqtë e shqiptarëve në faktorin ndërkombëtar, mirëpresin, ndihmojnë dhe inkurajojnë në këtë qëndrim i cili frymëzohet edhe një herë nga ideali i shqiptarëve. Kam bindjen se ata të cilët qëndrimin e tyre e kanë bazuar në fobinë ndaj shqiptarëve, gradualisht do të kuptojnë se shqiptarët janë një faktor i madh, i rëndësishëm paqeje, stabiliteti, miqësie dhe bashkëpunimi në rajon dhe se fobia ndaj tyre, është një histori e shkuar, në interesin e tyre më të mirë. Ne po përpiqemi shumë, të vendosim ato norma dhe standarde që vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, i kanë vendosur me njëra-tjetrën, dekada përpara".

/e.n.k.b/NOA/
KOMENTE