Prishtinë, 18 gusht NOA - Doganat e Kosovës raportuan sot për sekuestrimin e një sasie sendesh të florinjta që tha se po hynin kontrabandë në zonën e shtetit më të ri.
Kontrolli rutinë i kryer nga doganierët në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit zbuloi një kilogramë e 400 gramë ar, në një veturë me targa të Shkupit.
Malli është konfiskuar dhe rasti është proceduar tek Komisioni për kundërvajtje Doganore, - thanë për agjencinë e lajmeve NOA, zyrtarët e Doganave të Kosovës.
Ata detajuan se pas kontrollit të detajuar, u konfiskuan sikundër shihni dhe në foton e realizuar pas sekuestros, 172 unaza, 165 lira "Çerek", 6 byzylykë, 57 unaza ari me gurë të çmuar, 15 zinxhirë ari për meshkuj si dhe sete femërore, gjithsej 15 copë, me bizhuteri ari.
Dogana, duke treguar rastin, përfitoi të sigurojë se "ka marrë masa për rritjen e kontrolleve kufitare dhe si rezultat ky është rasti i katërt i zbulimit të metaleve të çmueshme në Hani të Elezit, që nga muaji qershor i këtij viti".
/a.b/e.n/NOA/