Tiranë, 18 Gusht NOA - Me çanta plazhi në duar dhe të shoqëruar me edukatorët e tyre, fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës "Zyber Hallulli", nisen drejt pishinave të vendosura në një nga zonat më të bukura, në perëndim të Tiranës, të rrethuara nga një gjelbërim kodrinor, pranë Liqenit Artificial.
Kjo është një ditë e nxehtë vere dhe fëmijët e kësaj qendre e kalojnë, ashtu si shumë ditë të tjera pushimesh, në Akuadromin e kryeqytetit, ku luajnë, freskohen dhe kalojnë disa orë të këndshme.
Fëmijët tashmë e dinë programin dhe, pasi konsumojnë shpejt e shpejt mëngjesin në institucion, nxitojnë të bëhen gati dhe të mblidhen në oborr, për t'u nisur sa më parë drejt pishinave.
Këto ditë të nxehta vera, disa nga shokët e tyre kanë shkuar për t'i kaluar pushimet pranë familjeve apo të afërmve të tyre, dhe ata që ndodhen në institucion, të gjithë fëmijë të grupmoshës 6-14 vjeç, përditë i gëzohen freskisë, lojërave dhe argëtimeve në ambientet e kompleksit "Akuadromi" në Tiranë, rreth 2 km nga qendra e qytetit.
"Më pëlqen të shkoj te pishinat... edukatoret na çojnë shpesh atje", tha e entuziasmuar Pamela 6-vjeçare.
Teksa i afrohen hyrjes së "Akuadromit", fëmijët rendin drejt pishinës së tyre, të ndjekur nga pas nga kujdestaret dhe edukatoret që mundohen t'i drejtojnë fillimisht tek çadrat. Fëmijët i zhveshin rrobat në ecje e sipër dhe i "flakin" pranë çadrave, së bashku me çantat që mbanin në dorë. Pastaj ‘vërshojnë' në ujë, duke u bashkuar me dhjetëra bashkëmoshatarë të tjerë që ndodhen në pishinë me prindërit.
"Fëmijët do të drekojnë në ambientet e Akuadromit dhe do të qëndrojnë këtu deri pasdite", sqaron njëra prej edukatoreve të shtëpisë "Zyber Hallulli", e cila tregon se, veç pushimeve ditore të shpeshta gjatë javës në pishina, shtëpia organizon edhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike për fëmijët.
"Kjo verë për fëmijët nisi me disa ditë pushimi të organizuara në qershor në liqenin e Pogradecit, ndërsa gjatë muajit korrik dhe gusht fëmijët frekuentojnë ambientet e pishinave. Pas 10 ditësh fëmijët do të pushojnë për rreth një muaj në bregdetin e Velipojës dhe Shëngjin." sqaron edukatorja.
Por aktivitet e pushime, nuk mbarojnë këtu, për fëmijët janë organizuar vizita në muze, kinema, koncerte,etj.
Fëmijët e kësaj shtëpie veç pushimeve intensive, kanë edhe ditë të veçanta për librat. Ata e shfrytëzojnë kohën e lirë për të lexuar libra të rinj jashtë shkolle.
Pasditeve në ambinetet e shtëpisë "Zyber Hallulli", fëmijët ndjekin programe lexim, kurse shahu dhe mësim të gjuhëve të huaja.
Ashtu si fëmijët e shtëpisë "Zyber Hallulli", në Tiranë, pushime verore janë organizuar edhe për qindra fëmijë të tjerë të sistemuar në qendrat publike në Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë.
Gjithsej në qendrat publike për fëmijë në të gjithë vendin trajtohen 350 fëmijë të moshës nga 0-14 vjeç. Stafet e qendrave të fëmijëve bëjnë përpjekje që gjatë pushimeve fëmijët ta kalojnë kohën në mënyrë sa më të gëzuar, me qëllim që t'ua bëjnë më të lehtë edhe mungesën e familjes.