English

Hetohet rrjet trafiku, pas kapjes në kuaj, të 1.5 tonë kafe në kufi me Malin e Zi

Prishtinë, 18 gusht NOA - Policia e Kosovës tha sot se është duke hetuar përfshirjen e një rrjeti njerëzish në kontrabandën e kafes, përderisa zbuloi një sasi të madhe në kufi me Malin e Zi.

Burime zyrtare nga Policia e Kosovës i thanë sot agjencisë së lajmeve NOA se hetimi po kryhet nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Pejës.

"Ne jemi duke kërkuar të dhëna të vlefshme për të zbardhur origjinën dhe destinacionin e 1.5 tonë kafe kontrabandë e cila u fut në zonën e Kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, në fshatin Jablanicë e Madhe me 12 kuaj të ngarkuar me 24 thasë gjithsej", - detajoi policia.

Përfaqësues të Task Force shtuan se janë konfiskuar rreth 1 ton e gjysmë kafe të ngarkuara nëpër thasë, ku secili prej kuajve, kishte të ngarkuara nga dy thasë me kafe.

Kafeja ishte e papërpunuar dhe kishte prejardhje nga Brazili, kafe kjo e cila ka hyrë në mënyrë ilegale në republikën e Kosovës.

Në lidhje me këtë rast, është arrestuar një 22-vjeçar i dyshuar, G. Z. dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Kurse në konsultim me prokurorin publik komunal, kafeja është konfiskuar ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar në lidhje me rastin, konkludoi Policia e Kosovës.

/a.b/e.n/NOA/

KOMENTE