English

Kërkohet shkarkimi i gjashtë zyrtarëve për mosdeklarim të pasurisë

Kjo kërkesë vjen për shkak se zyrtarët e poshtëshënuar, edhe pas kalimit të afatit të komunikimit të masës administrative për 3 muaj që ka qenë data 13 gusht 2009, nuk e kanë deklaruar pasurinë

Prishtinë, 18 Gusht NOA - Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit AKK, kërkoi sot nga gjashtë institucione që të fillojnë procedurën e shkarkimit të gjashtë zyrtarëve të lartë për mosdeklarimin e pasurisë së tyre, gjë të cilën e parasheh ligji kundër korrupsionit.

Burime zyrtare nga AKK, i thanë sot korrespondentit të agjencisë NOA, se kjo kërkesë vjen për shkak se zyrtarët e poshtëshënuar, edhe pas kalimit të afatit të komunikimit të masës administrative për 3 muaj që ka qenë data 13 gusht 2009, nuk e kanë deklaruar pasurinë.

Emrat e zyrtarëve të lartë ndaj të cilëve kërkohet procedura e shkarkimit për mos -deklarim të pasurisë, janë: Zlatica Vukasinovic - Kryetare e Gjykatës Komunale - Leposaviq, Snezhana Kostic - Gjyqtare e Gjykatës Komunale - Leposaviq Sudan Gorani - Gjyqtar i Gjykatës se Qarkut - Pejë, Demush Krasniqi - Gjyqtar i Gjykatës Komunale - Malishevë, Slobodan Stefanoviç - Prokuror në Prokurorin Komunale - Gjilan, Mahmud Lilaj - drejtori i SH.SH.M.B, Gjakovë - Ministria e Shëndetësisë.

***

Duke u bazuar në nenin 39 të Ligjit Kundër Korrupsionit (LKK) 200/34, Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit (AKK) mbikëqyr Pasurinë e zyrtarëve të lartë sikur janë cekur në nenin 2 të LKK - së, në një formularë të posaçëm që është përcaktuar nga AKK-ja.

Sipas dispozitave ligjore të LKK -së formularët e plotësuar duhet të dorëzohen në AKK deri me 31 mars për vitin paraprak.

Deri më këtë datë në vitin 2009, këtij obligimi ligjor ju kanë përgjigjur 78.3 % e zyrtarëve të lartë publik nga 800 sosh që kanë qenë të obliguar për deklarimin e pasurisë sipas LKK-së.

Në pajtim me paragrafin 1 të nenit 43 të LKK-së, nëse zyrtari i lartë nuk dorëzon informacionin e referuar në nenin 41 dhe 42 të LKK - së brenda afatit të përcaktuar në këtë Ligj, AKK - ja nxjerr një paralajmërim dhe vendos një afat të ri, i cili nuk mund te jetë më i shkurt se 15 ditë nga dita e nxjerrjes së paralajmërimit.

Bazuar në këtë AKK pas verifikimit të listave të zyrtarëve të lartë të cilët nuk kishin dorëzuar formularët me datë 03 prill 2009, nxori një paralajmërim dhe vendosi një afat të ri për dorëzimin e formularëve.

Afati i ri i vendosur nga AKK përcaktonte datën 30 prill 2009, si afat i fundit ligjor për dorëzimin e formularëve të deklarimit të gjendjes së pasurisë, ku numri i zyrtar ëve të lartë që kanë deklaruar pasurinë deri me këtë datë arrin në 778 apo 97.2 %.

Në rastet kur zyrtari i lartë nuk ka dorëzuar informacionin lidhur me gjendjen e pasurisë së tij brenda afatit të përcaktuar me ligj, konform paragrafit 3 të nenit 43 të LKK - së, AKK ka informuar institucionet ku ata zyrtar të lartë ushtrojnë detyrën e tyre për mos - deklarim të pasurisë dhe njëherit kemi kërkuar që të merret masa administrative për zvogëlimin e pagës për 1/5 apo 20 % për çdo muaj (kjo masë ka zgjatë 3 muaj).

Numri i zyrtarëve të lartë ndaj të cilëve është kërkuar të merret kjo masë administrative ka qenë 22 sosh.

Pas kalimit të afatit të shqiptimit të masës administrative për 3 muaj që ka qenë datë 13 gusht 2009, numri i zyrtarëve të lartë që nuk e kanë deklaruar pasurinë është gjashtë.

Në pajtim me paragrafët 4 dhe 5 të nenin 43 të LKK, nga institucionet ku punojnë këta zyrtarë të lartë, me datë 17 gusht 2009, kemi kërkuar që të filloj procedura e shkarkimit për mosdeklarim të pasurisë.

Nga 800 zyrtarë të lartë që kanë pasur për obligim të deklarojnë pasurinë e tyre sipas LKK, në vitin 2009 kanë deklaruar pasurinë e tyre 794, apo 99.2 për qind.

/a.b/e.n/NOA/

KOMENTE