English

PS: Qeveria, asnjë masë për sigurinë e jetës së qytetarëve

Tiranë, 18 Gusht NOA - Partia Socialiste shprehu sot shqetësimin për mungesën e theksuar sipas saj, të sigurisë së jetës në vend, por gjithashtu për mungesën e theksuar të masave parandaluese dhe mbrojtëse që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare.

Deputeti i PS, Saimir Tahiri, doli sot para mediave dhe tha se kronikat e lajmeve janë të mbushura me vrasje, vetëvrasje, plagosje, aksidente rrugore, aksidente ne punë, pra të gjitha ato ngjarje të përditshme ku humbasin jetën nëna, fëmijë, burra, gra, të moshuar, në gëzimin e një dasme, në plazh, në punë, në rrugë, në shtëpi e kudo.

"Tashmë muaj pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ngjarje ende pa autor e pa përgjegjës, ngjarjes tragjike të para pak ditëve ku humbën jetën 4 efektivë të policisë, dëgjojmë e shohim ngjarje të rënda e të tjera vetëm në dukje më pak të rënda, por njëlloj tragjedi të mëdha individuale dhe shoqërore për ata që humbasin jetën, familjet e tyre dhe për mbarë shoqërinë", deklaroi Tahiri.

Konflikti për tokën, për gardhin, për bagëtitë, për gjakmarrje apo hakmarrje, aksidenti në rrugë, në plazh, në punë, e çdo motiv tjetër i shpallur nga qeveria, nuk përbën arsyen e vërtetë për këtë bilanc lufte, vlerëson PS.

"Varfëria, skamja, uria, mungesa e mundësive për të jetuar, pabarazia sociale, mungesa e perspektivës, mungesa e rregullave ose mungesa e vullnetit për ti zbatuar ato në mënyrë të barabartë e jo selektive, injorimi nga shteti e ndonjëherë injorimi edhe nga ata vetë që janë të ngarkuar të garantojnë integritetin e jetës së qytetarëve, janë shkaqet e vërteta që bëjnë me përgjegjësi të plotë qeverinë e paaftë të Sali Berishës, e cila në vend që të mbrojë me çdo çmim jetën e qytetarëve, ka vendosur një çmim të rëndë në kurrizin e tyre për interesat e saj të ngushta e korruptive, një çmim që e paguajnë me jetën e tyre ata që ikin dhe me sakrifica të përditshme të tjerët që janë ende gjallë", - tha Tahiri.

Sipas tij, pushteti politik dhe financiar i Sali Berishës vlen sot më shumë se jeta e qindra qytetarëve të pafajshëm që humbasin jetën për shkak të injorancës dhe paaftësisë së kësaj qeverie që tashmë është katandisur vetëm në konstatimin dhe regjistrimin e viktimave në vend që të marrë masat e domosdoshme për të garantuar jetën.

Për këtë situatë, Partia Socialiste bën përgjegjës të drejtpërdrejtë Sali Berishën dhe qeverinë e tij, "të cilët nga kujdesi për ruajtur kolltukun e pushtetit e për t'u pasuruar me çdo kusht, janë verbëruar në paaftësi e korrupsion duke mohuar padrejtësisht përkujdesin dhe përkrahjen që meriton jeta e çdo shqiptari, qoftë ky i varfër apo i pasur".

"Njëkohësisht bëjmë thirrje që të merren masa të menjëhershme për të parandaluar çdo rrethanë të qëllimshme ose rastësore si dhe çdo konflikt minimal që fatkeqësisht rezulton me pasoja tragjike maksimale për jetën e qytetarëve dhe për mbarë shoqërinë", - përfundon deklarata e PS.

e.l/NOA

KOMENTE