Vërtet nuk e kam të qartë për çfarë ruajtjeje të integritetit territorial këmbëngulet kaq shumë kur në tërë veriun e Kosovës (jo vetëm në tri komunat serbe për të cilat parashihet "këmbimi") kontrollin e plotë e ka një shtet tjetër, Serbia, në kohën kur cenim i integritetit territorial konsiderohet edhe vetëm kalimi i paparalajmëruar nëpër hapësirën ajrore nga një fluturake e huaj që e ka humbur rrugën
Sizifi fatkeq ishte ndëshkuar me kryerjen e punës më të kotë e të pafrytshme në botë. Ishte i detyruar ta shtynte gurin deri në majë të kodrës i cili, pastaj rrokullisej prapë teposhtë dhe kështu ai ishte i dënuar ta përsëriste të njëjtin ritual të shtyrjes për tërë jetën.
Nuk ishte Sizifi ai që ma kujtoi politikën e lidershipit të Kosovës. Ishte e kundërta. Është e pamundur të mos e bësh këtë paralele kur i dëgjon e i sheh mendimet e veprimet e ngurta statujë të tyre përballë çështjeve me domethënie aq të rëndësishme për të tashmen e të ardhmen tonë. Dogmatizmi i tyre, të cilin ata e përkthejnë si konsekuencë ndaj parimeve, ka bërë që në agjendën e së ardhmes së Kosovës të mos ndryshojë asgjë. Edhe nesër, sikurse sot do të merremi me probleme të njëjta. As nesër veriu i Kosovës nuk do të jetë e djeshme. Do të vazhdojmë ta rrokullisim këtë gur për aq kohë sa ta kuptojmë që kjo nuk është detyrë jona, por e Sizifit.
Dy format e refuzimit
Koncepti i zgjidhjes së çështjeve mbi baza etnike, brenda pak muajve, u promovua nga dy figura jo pak të rëndësishme amerikane. I pari ishte ish-ambasadori William Montgomery e tani edhe kongresisti Dana Rohrabacher. Reagimi nga lidershipi në Kosovë nuk ishte befasues: ishte stereotip, emocional, - si gjithmonë. Megjithatë, një gjë bie në sy. Sikur të njëjtën deklaratë ta jepte ndonjë ish-ambasador rus apo ndonjë anëtar i Duma-s ruse reagimi do të ishte edhe më banal dhe monoton. Prodhimi amerikan i këtyre qëndrimeve ka bërë që megjithatë nga dikush të bëhen përpjekje për arsyetimin e refuzimit. Të gjendet një formë më elegante e këtij refuzimi. Dy janë shtyllat në të cilat mbahet ky refuzim:
1) Parimi i ruajtjes së integriteti territorial, dhe
2) Dobishmëria, si përpjekje më racionale por gjithashtu e paqëndrueshme e arsyetimit që në vete ngërthen brengën e sigurisë, frikës nga efekti domino, disponimin ndërkombëtar, çështjen ‘Gazivoda' etj.
1) Parimi i ruajtjes së integritetit territorial
Përderisa DOGMATIZMI mohon diskutueshmërinë e ideve, pikëpamjeve a vijës së përcaktuar, KONSEKUENCA pohon moslëshimin e kësaj vije. Kur vija është e gabuar konsekuenca njëjtësohet me dogmatizmin. Pra, shndërrohet në diçka të dëmshme - në dogmatizëm konsekuent. Bëhet e tillë si ajo e lidershipit të Kosovës ndaj çështjes së veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore. Dhe kjo është kështu për shkak të gabimit në përcaktimin e drejtë të objektivit. Ata nuk e kanë ndërtuar konsekuencën në raport me zgjidhjen e çështjes por në raport me parimin e zgjedhur. Për ta nuk është e rëndësishme të zgjidhet vërtetë problemi por të mos shkelet parimi për të cilin janë përcaktuar, qoftë edhe gabimisht. Janë përcaktuar për integritet territorial në rrethana në të cilat përpjekja për ruajtjen e këtij parimi është përpjekje për ruajtjen e problemeve të pazgjidhura. Ndërkohë që refuzojnë parimin e vetëvendosjes deri në shkëputje për qytetarët e këtyre dy rajoneve, si parim që do ta mundësonte arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, në mënyrë qenësisht demokratike dhe me garanci kredibile për siguri e stabilitet.
Kjo ‘logjikë' ka bërë që të krijohet një mospërputhje midis dimensioneve reale të fushës në të cilën shtrihen problemet dhe fushës së ngushtë të problemeve, të kufizuar me kufij shtetërorë, që gjendet në kokat e tyre. Ata nuk shohin se ekziston një çështje e pazgjidhur shqiptare përtej kufijve të Republikës së Kosovës me çka edhe e shfajësojnë Serbinë. Ndërkohë që përballen dhe janë të paafta ta zgjidhin një çështje serbe të veriut të Kosovës, me çka e veshin Kosovën me faj. Kjo konsekuencë ndaj parimit, ky qëndrim shkurtpamës, ky injorim i gjendjes në Kosovën Lindore, ka krijuar një situatë ku nën terrorin e vazhdueshëm serb, shqiptarët, çdo ditë e më tepër po ikin nga ato pjesë në qetësi e pa ndonjë bujë të madhe. Ndërkohë, Serbia çdo ditë e më tepër po i fut më thellë rrënjët në pjesën veriore të Kosovës, gjë që do të bëjë që për një kohë të shkurtër të krijohen realitete të reja të pakthyeshme dhe fatale për ne. Realitete që nënkuptojnë mbetjen e Kosovës pa lindjen dhe veriun e saj. Do ta sjellë situatën kur nuk do të ketë çështje të Kosovës Lindore, ndërsa do të ketë vazhdimisht çështje të serbëve në Kosovë dhe Kosovë të mbetur peng të kësaj çështjeje.
Në fund, vërtet nuk e kam të qartë për çfarë ruajtjeje të integritetit territorial këmbëngulet kaq shumë kur në tërë veriun e Kosovës (jo vetëm në tri komunat serbe për të cilat parashihet "këmbimi") kontrollin e plotë e ka një shtet tjetër, Serbia, në kohën kur cenim i integritetit territorial konsiderohet edhe vetëm kalimi i paparalajmëruar nëpër hapësirën ajrore nga një fluturake e huaj që e ka humbur rrugën.
2) Dobishmëria
Formë diçka më elegante e refuzimit të idesë së ndryshimit të kufijve është përpjekja për ta trajtuar atë si të padobishme nga shumë aspekte: nga aspekti i sigurisë, i rrezikimit të balancit ballkanik, i humbjes së burimit të ujit, i reagimit negativ ndërkombëtar etj. Megjithatë, të gjithë këta faktorë e kanë pasuruar edhe më tepër fondin e argumenteve pro ndryshimit të kufijve.Â
Siguria
Në Ballkan ekziston një mentalitet i veçantë. Përmendja e territoreve dhe kufijve automatikisht të sjell ndërmend luftërat, konfliktet, mosmarrëveshjet. Automatikisht ngjall dyshime, frikë, pasiguri. Dhe kjo është e natyrshme kur territoret dhe kufijtë shihen të pashkëputshme nga imponimet dhe mosrespektimi i vullnetit të njerëzve që jetojnë në ato territore dhe afër atyre kufijve. Përdorimi i çështjes së sigurisë nga lidershipi i Kosovës si argument kundër buron pikërisht nga ky mentalitet. Ata, pikërisht duke u frikësuar nga pasiguria, me qëndrimin e tyre e ushqejnë përditë atë. Ata, në emër të sigurisë, përpiqen ta ruajnë një gjendje që përditë ka pasoja të rënda për jetën, shëndetin dhe sigurinë e njerëzve. Nuk e kuptoj se si mund të quhet siguri vrasja, dhuna fizike e psikologjike dhe spastrimi i vazhdueshëm që iu bëhet pjesëve të banuara me shqiptarë në Kosovën Lindore. Apo si mund të konsiderohet gjendje e sigurisë ajo në veri të Kosovës me gjithë ngjarjet e dhunshme të cilat ndodhin përditë atje. Ruajtja e kësaj gjendjeje është marrje nën mbrojtje e pasigurisë. Kjo çështje është në agjendë pikërisht për shkak të pasigurisë që prodhon, prandaj zgjidhja nuk qëndron në ruajtjen, por në ndryshimin e saj. Ajo që është në pyetje tash është se si duhet të ndryshohet ajo. Padyshim që zgjidhja ideale nuk do të ishte as shkëmbimi i territoreve. Edhe kjo, si ide, ngërthen në vete imponim të zgjidhjes, prandaj nuk garanton zgjidhje me kredibilitet të mjaftueshëm demokratik të problemit. Në këtë kontekst, e vetmja zgjidhje e drejtë dhe pa deficite morale e demokratike do vinte nga përcaktimi i njerëzve që jetojnë në këto territore për fatin e tyre përmes shfrytëzimit të së drejtës së tyre për vetëvendosje deri në shkëputje.
Frika nga efekti ‘domino'
Aplikimi i parimit të vetëvendosjes për banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit, sipas të gjitha gjasave, do të çonte në ridefinimin e kufijve mbi baza etnike. Përkundër asaj që kundërshtarët e kësaj ideje i frikëson pikërisht ky fakt dhe cenimin e sigurisë e shohin pikërisht në zgjidhjen mbi këto baza (etnike) krahasimi i realiteteve të ndryshme në Ballkan dëshmon saktësisht të kundërtën. Të shohim se cilat shtete që kanë dalë nga ish-Jugosllavia vazhdojnë të kenë probleme të natyrës etnike, e cilat jo. Probleme nuk ka Sllovenia dhe Kroacia. Në anën tjetër, probleme kanë Bosnja, Kosova, Serbia dhe Maqedonia. Konkluzioni është tepër i qartë. Shtetet me strukturë të përzier etnike të cilat nuk i kanë të zgjidhura çështjet kombëtare të popujve që gjenden nën juridiksionin e tyre e të cilëve u takon e drejta e vetëvendosjes ndërsa shteti i trajton si pakicë, janë jostabile dhe të tilla do të mbeten për aq kohë vazhdon një gjendje e tillë.
Pra, nga krahasimi i dhënë shihet se kemi të bëjmë me një frikë irracionale. Me një frikë nga zgjidhja e problemeve që vjen nga respektimi i parimeve demokratike. Në qoftë se ky model i zgjidhjes dëshmohet i leverdishëm, pse të frikësohemi se në mënyrë të ngjashme do të veprojnë të tjerët!? Ata edhe duhet të veprojnë. Nëse ky model dëshmohet i suksesshëm, i zgjidh problemet shqiptaro-serbe dhe krijon stabilitet të vërtetë, pse të kemi frikë se do të shkaktojë gjendje jostabile në Maqedoni e Bosnjë nëse edhe atje arrihet marrëveshje për aplikimin e një modeli të tillë të suksesshëm. Stabiliteti nuk rrezikohet nga marrëveshjet, por nga imponimet.
Disponimi i faktorit ndërkombëtar
Në përputhje me këtë bie poshtë edhe pretendimi se faktori ndërkombëtar do ta kundërshtonte një marrëveshje të tillë për shkak se do të ishte precedent që do ta rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Faktorët ndërkombëtarë janë deklaruar qartë, disa herë, se çdo marrëveshje midis palëve është e pranueshme edhe për ta, prandaj përdorimi i disponimit negativ të segmentit ndërkombëtar është plotësisht i pabazë.
Në anën tjetër edhe po të ishte e vërtetë kjo, duket jonormale të shqetësohemi për disponimin e të tjerëve, e jo për përmirësimin e gjendjes sonë të rëndë. Nëse zgjidhjet e problemeve tona dhe arritja e paqes midis nesh do të ishin shqetësuese për të tjerët, atëherë kjo do të thoshte se kemi interesa të kundërta me ta. Interesi ynë për të dalë nga kjo gjendje e rëndë do ta kishte përballë interesin e faktorëve të caktuar ndërkombëtarë për të na mbajtur në këtë gjendje. Në këtë situatë detyra e lidershipit tonë nuk do të duhej të ishte të shqetësohej për shqetësimin e ndërkombëtarëve, por për shqetësimin e njerëzve në emër të të cilëve flasin e të cilët i bartin pasojat e gjendjes. Është tepër qesharake kur sheh që shpeshherë ky lidership i vë vetes mbi supet e brishta misione të pamundura, si atë të interesave ndërkombëtare apo të sigurisë rajonale, derisa nuk është e aftë për të bartur misione shumëfish më të lehta e më korresponduese me takatin e tyre. Mbrojtja e interesave (jo gjithmonë konvergjente) të faktorëve ndërkombëtarë është detyrë e vetë ndërkombëtarëve.
Gazivoda
Shqetësimi ndoshta më i arsyeshëm ka të bëjë me burimin ujor të Gazivodës. Por edhe ky fakt përbën shqetësim vetëm për aq kohë sa shihet i shkëputur nga konteksti. Ky shqetësim buron nga ideja e këmbimit klasik të imponuar të territoreve me Serbinë. Si shenjë hakmarrjeje Serbia do të mund të bënte obstruksione të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe çështjen e furnizimit me ujë, sadoqë ekzistojnë konventa ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave. Por skenari i "këmbimit" me marrëveshje e përjashton çdo shqetësim të kësaj natyre. Dihet se edhe pjesa e Kosovës Lindore paraqet rëndësi strategjike për Serbinë (p.sh. autostrada e cila kalon nëpër territore me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës), prandaj në kuadër të ndonjë marrëveshjeje midis palëve edhe çështja e këtyre interesave strategjike do të rregullohej përmes klauzolave të veçanta.
Aspekti tjetër i kësaj çështjeje ka të bëjë me një krahasim të arsyeshëm të dy çështjeve. Duke qenë se ekzistimi i këtij problemi shqiptaro-serb po e lë peng sigurinë, e rrjedhimisht edhe zhvillimin ekonomik të krejt Kosovës, a është e logjikshme që të mbahet peng e gjithë Kosova për shkak të Gazivodës!? Aq më tepër kur dihet se trojet shqiptare disponojnë me pasuri aq të mëdha ujore.
Edhe kjo frikë sikur edhe ato të përmendura më herët janë pasojë e një qasjeje të gabuar ndaj formës dhe mjeteve për arritjen e zgjidhjes së problemit të paanashkalueshëm shqiptaro-serb.
Dy absurde
Përveç aspektit të dobishmërisë, pra edhe kur thonë: "Po supozojmë që është projekt i dobishëm", ata ballafaqohen me problemin tjetër, atë të realizueshmërisë. Ata janë skeptikë ekstremë se një marrëveshje e tillë është e realizueshme për shkak të faktit se që të dy territoret gjenden nën kontrollin e fortë serb. Si rezultat, ata insistojnë që zgjidhje e vetme prapë mbetet implementimi i Planit të Ahtisarit. Ups! Këtu dalin dy absurde.
I pari. Insistohet në realizimin e Planit të Ahtisarit për shkak se lëvizja e kufijve është e pamundur për shkak të këtij kontrolli nga ana e Serbisë. Po mirë. Atëherë si është e mundur të zbatohet edhe vetë Plani i Ahtisaarit kur Serbia nuk e pranon as atë!? Edhe më keq, ajo do të lejojë të realizohet në mënyrë selektive, vetëm pjesën që i përshtatet asaj, pa e pranuar atë politikisht. Do ta lejojë decentralizimin i cili do ta legalizojë kontrollin serb jo vetëm në tri komunat e banuara me serbë, por edhe në gjysmën e qytetit të Mitrovicës, në tërë pjesën përtej urës së Ibrit.
Absurdi i dytë. Njëri prej arsyetimeve për refuzimin e idesë së z. Rohrabacher është fakti se Beogradi i ka nën kontroll faktik të dy territoret (veriun e Kosovës dhe Kosovën Lindore) dhe se nuk ekziston kurrfarë garancie qe ai do të heqë dorë nga njëra prej tyre në emër të këmbimit. Kjo lind një pyetje të thjeshtë dhe logjike: duke qenë se je i vetëdijshëm se Beogradi ka kontroll mbi dy territoret dhe nuk heq dorë nga asnjëra nga to, çfarë logjike ka që të kundërshtohet ideja e një kongresisti amerikan që të bëhet ky shkëmbim, e si rezultat i të cilit Beogradi do të hiqte dorë nga njëri prej tyre? Në këtë rast, logjika e shëndoshë thotë që kjo ide jo vetëm që duhet të përkrahet, por që duhet të punojmë sa më shumë që kjo të bëhet politikë zyrtare e vetë SHBA-së. Në njërën anë thonë se nuk kemi kontroll në asnjërin territor, e në anën tjetër kundërshtohen zërat që njëri territor duhet t'u takojë shqiptarëve, tjetri serbëve. E çuditshme!
E tërë kjo logjikë e të menduarit bazën e ka në filozofinë e politikës pasive, në mungesën e kreativitetit, në mungesën e sensit të ngritjes së çështjeve dhe ballafaqimit me to, në mungesën e guximit politik e intelektual. Lidershipi ynë i ngjan atij të sëmurit që pranon ta mbajë sëmundjen brenda vetes sa më gjatë që mund ta durojë për t'iu shmangur briskut të pashmangshëm të kirurgut. Ne duhet ta heqim nga trupi një organ i cili është papajtueshëm me organizmin dhe ta zëvendësojmë atë me një organ kompatibil me sistemin tonë organik.
Parimi i reciprocitetit
Së pari, është shumë e rëndësishme të kuptohet se para momentit të arritjes së një marrëveshjeje të mundshme ekziston një proces i veçantë. Është një rrugë e tërë e cila përbëhet nga një seri hapash të vegjël. Dhe së dyti, kjo rrugë paraqet një proces të politikës aktive dhe paqësore. Baza në të cilën duhet të mbështetet ky proces është parimi i reciprocitetit. Me këtë parim nënkuptohet ndërtimi i sistemit të ekuivalencës midis të drejtave që do t'i gëzonin serbët në veri të Kosovës me të drejtat që do t'i gëzonin shqiptarët në Kosovën Lindore. Pra, të ngrihen në rangun e çështjeve me peshë të njëjtë. P.sh. nëse serbët do të kërkonin kompetenca më të mëdha në tri komunat serbe në veri të Kosovës, ajo do t'iu lejohej nëse Serbia do ta lejonte një gjë të tillë edhe për komunat shqiptare në Kosovën Lindore. Nëse serbët në veri refuzojnë t'i njohin institucionet e Kosovës, edhe shqiptarët në Kosovën Lindore të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, për t'u realizuar kjo kërkohet një politikë vërtet e vendosur dhe një qeveri vërtet e aftë. Një qeveri e cila do të ishte në gjendje t'i siguronte ato që sot nuk i ka fare e frikësohet se do t'i humbë - sovranitetin dhe integritetin territorial. Sigurimi i tyre nuk do të thoshte edhe zgjidhje e kontestit, por krijim i kushteve për një gjë të tillë. Sovranitet dhe integritet territorial ka pasur edhe Serbia mbi Kosovën por kjo nuk ka mjaftuar që të shuhet kontesti e të shmanget pavarësia e Kosovës.
Përfundim
Zgjidhjet gjysmake kanë sjellë gjithmonë nevojën për zgjidhje tjetër. Por, fatkeqësisht, pas vrasjeve e përgjakjeve të tmerrshme. Pas betejave të pafund, qofshin individuale, qofshin kolektive. Dhe kjo në forma të ndryshme do të vazhdojë edhe gjatë përderisa nuk arrihet një zgjidhje përfundimtare. Dhe kjo zgjidhje përfundimtare ka nevojë për një betejë përfundimtare. Por kjo nuk do të ishte betejë midis popujve. Një betejë e tillë prapë nuk do të ishte përfundimtare; do të ishte betejë e radhës. Ne së bashku kemi nevojë për betejën përfundimtare kundër të keqes. Kundër shkaktarëve të betejave të përditshme. Për këtë betejë ka nevojë për një marrëveshje. Për dallim nga të tjerat, kjo marrëveshje nuk do ta shënonte fundin e kësaj beteje, por fillimin e saj. Do të ishte marrëveshje për ta respektuar të drejtën e njerëzve për të jetuar jo atje ku e si duan politikanët, ‘historianët' e pushtetarët, por ku ata ndihen më mirë. Do të ishte marrëveshje për t'iu nënshtruar qytetarit, e jo për ta nënshtruar atë.
Sizifi dhe lidershipi
Ngjashmëria e aktorëve të politikës dominuese në Kosovë me Sizifin qëndron në atë se këta aktorë synojnë ndërtimin e kështjellës së paqes e sigurisë mbi themelet e problemeve të pazgjidhura etnike. Sadoqë krijohet përshtypja se ata kanë përparuar në ndërtimin e kësaj kështjelle, një dridhje e vogël e themeleve e shemb përtokë atë. Dhe ata prapë duhet të fillojnë nga e para. Njëjtë si Sizifi i gjorë. Kjo bën që kjo politikë të shndërrohet në subjekt të mitologjisë, ndërsa aktorët e saj në heronj mitologjikë. Megjithatë, ekziston një dallim përmbajtjesor midis tyre. Ajo që i dallon këta nga Sizifi është fakti se Sizifi vuante nga mungesa e mundësisë për shfrytëzimin e shkathtësive për të cilat shquhej, ndërsa lidershipi ynë vuan nga mungesa e shkathtësive për t'i shfrytëzuar mundësitë që ofron situata.
(*) Për agjencinë NOA; Autori është anëtar i KP të Lëvizjes për Bashkim