Mirditë, 18 Gusht NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte sot në Rrëshen, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar me rastin e 60-vjetorit të masakrës së 17 gushtit të vitit 1949, e njohur si Masakra e Qafë-Valmirit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe deputetët e qarkut të Mirditës, zoti Edi Paloka dhe zoti Mark Marku, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave dhe të institutit të të përndjekurve politikë, e të tjerë.
Kryetarja Topalli shprehu respektin dhe mirënjohjen e saj për të gjithë burrat e gratë e Mirditës të cilët u vranë nga regjimi komunist për shkak të vendosmërisë së tyre në besimin tek liria. "Unë gjithmonë kam vlerësuar një edukatë të fortë, një vlerë të madhe: forcën për të falur. Është gjëja më e madhe. I fortë dhe me kurajë është ai që fal dhe që s'mendon kurrë për diçka tjetër dhe ju e keni bërë këtë më shumë se gjithkush tjetër me një fisnikëri të paparë, me një forcë dhe kurajë të jashtëzakonshme. Kjo është gjëja më e mirë", - tha zonja Topalli.
Të pranishmit përkujtuan viktimat e masakrës së Qafë-Valmirit, e cila njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të regjimit komunist.
Ceremonia vijoi para memorialit në nderim të viktimave të 17 gushtit 1949, i punuar nga skulptori i ri Kelvin Pjetri.
e.l/NOA//