Durrës, 18 gusht NOA Update - Muzika e lartë, ishte shkaku i vetëm që solli një vrasje të shëmtuar në plazhin e Durrësit, mes pronarëve të dy lokaleve të rëndomta që ishin ngjitur me njëri-tjetrin.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA, informon se viktima është Marenglenc Jahoelezi, 30 vjeç, banues në Tiranë.
Autor i dyshuar i krimit, është Zihni Dushku, një pensionist 54-vjeçar, i martuar dhe me tre fëmijë, banues në Hamallaj, Sukth.
Në orën 03.30 të ditës së sotme, Dushku u arrestua nga policia e cila e akuzon për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Si nisi
Kishte ditë që Marenglenci dhe Zihniu po e shihni vëngër njëri-tjetrin.
Në fakt, që të dy, kishin nga një lokal tip kioske-rulotë, me tavolina dhe karrige përreth, tek plazhi i vendit të quajtur Hidrovori në Hamallaj.
Ditën e diel, konflikti ndërmjet autorit të dyshuar dhe viktimës e miqve të tij ka nisur aty nga pasditja, për arsye të rëndomtë:
Shkak është bërë muzika e lartë që kishte vënë autori i dyshuar, pa e vrarë shumë mendjen se kjo mund të shkaktonte shqetësim, më së paku te lokali ngjitur me të tijin.
Marenglenci i thotë Zihniut se muzika ishte shumë e lartë, e bezdiste atë dhe miqtë e tij ndaj duhet ta ulte.
Kjo kërkesë ishte parë si e papranueshme nga Zihniu që as nuk e ka vrarë mendjen ta ulë ca zërin.
Në këto rrethana ka plasur dhuna. Që të dy, janë goditur me grushte por pas disa minutash, sherri është mbyllur.
Një ditë më vonë, dje në mbrëmje në orën 23.15, sherri ka nisur sërish. Muzika e lartë vijoi të ishte e pranishme në lokalin e Zihniut, vetëm pak metra larg atij të Marenglencit.
Në këto rrethana, konflikti është rindezur. Marenglenci dhe miqtë e tij, sërish i kanë kërkuar Zihniut që të ulë muzikën.
Përgjigjja këtë radhë nga pronari i kjoskës "ahengxhije", ka qenë vërtet e pabesueshme.
Në pak çaste, ai ka nxjerrë një automatik që e mbante brenda lokalit të tij dhe ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit Marenglenc Jahoelezi dhe miqve të tij.
Si pasojë e goditjeve është plagosur rëndë Marenglenc Jahoelezi i cili është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë, por si pasojë e plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja, u zhvillua në prani të shumë njerëzve, pushues në atë zonë duke shkaktuar panik dhe pasiguri.
Pak minuta më vonë atje mbërritën forca të shumta policie, të cilat në cilësinë e provave materiale, bllokuan dhe sekuestruan pesë gëzhoja model 56 të kalibrit 7.62 mm. Të qitura nga arma tip "Kallashnikov" që gjithashtu u gjet dhe sekuestrua bashkë me një krehër me 18 fishekë.
Policia e Durrësit tha se e arrestoi të dyshuarin e vrasjes, 4 orë pas ngjarjes, sot në orën 03.30 pasi rrethoi zonën e hamallat dhe nisi ndjekjen e tij.
Pas lokalizimit dhe prangosjes pa rezistencë, tani 53-vjeçari përballet me akuzat e "vrasjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".
/v.m/e.n/NOA/