Gjirokastër, 19 Gusht NOA - Dozat e vogla të marijuanës, ishin synimi i një trafikanti droge nga Fieri i cili jeton prej kohësh në Gjirokastër, duke ia shitur ato të rinjve në qytetin jugor.
Por lënda e parë sigurohej fare afër, nga Lazarati, ku 38-vjeçari Vasil Rizvo, u zbulua se blinte marijuanën që më pas e përgatiste në sasi të vogla që i shiste "te tregu i pakicës së qytetit".
Duke marrë të dhëna nga specialistët e antikrimit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër kreu mëngjesin e sotëm një aksion në lagjen "Zinxhira" të qytetit për të kapur "me presh në duar" Vasil Rizvon.
"Nga ana e Specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar ishte marrë një informacion në rrugë operative se në banesën e Vasil Rizvos, ndodhej një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit marijuanë, ndaj vendosëm të ndërhyjmë", i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Nga ana e Specialistëve të Antidrogës është ushtruar një kontroll i imtësishëm në banesën e Rizvos, i cili në fakt i kishte marrë masat duke e fshehur drogën e sapoblerë në Lazarat.
Pasi u krye kontrolli i imtësishëm rezultoi se në korridorin e banesës, poshtë një tavoline gjendeshin katër qese plasmasi me ngjyrë blu në brendësi të së cilave kishte secila nga gjysmë kilogram lëndë narkotike, ku pesha e përgjithshme rezultoi 2 kilogramë marijuanë që ju shihni në foton e lajmit.
Policia tha se "është bërë shoqërimi i Vasilo Rizvos në ambientet e Drejtorisë së Policisë, ku u kryen veprimet e para hetimore, nga të cilat rezultoi se sasinë e lëndës narkotike e ka blerë në fshatin Lazarat, për ta shitur më pas në doza të vogla, përdoruesve të ndryshëm të lëndëve narkotike në Gjirokastër".
/v.d/e.l/NOA/