Shkodër, 19 Gusht NOA - Frenimi i një kamioni në rrugën Bushat-Shkodër ka qenë fatal për një qytetar i cili gjeti vdekjen kurse dy të tjerë u plagosën pasi tre makina u përfshinë nga aksidenti i shkaktuar.
Burime zyrtare nga policia e Shkodrës thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në orën 21.00 te vendi i quajtur "Kthesa e Beltojës".
Nga hetimi në vendngjarje, doli se 35-vjeçari nga Shkodra, Fatbardh Boshti, duke drejtuar mjetin tip kamion "Liaz", me targë SH 1736 E, në rrugën kryesore Bushat-Shkodër, pas një frenimi ka dalë nga rruga duke u përplasur me tre mjete të tjera që lëviznin në sens të kundërt.
Për pasojë, nga kjo përplasje ka gjetur vdekjen 48-vjeçari Gjon Shulza, lindur e banues ne fshatin Reç, Komuna Velipojë, i cili po drejtonte mjetin tip "Benz" me targa TR 6074 M.
Sakaq, kanë pësuar dëmtime shtetasit Gj. Sh. dhe R.Sh., të cilët po udhëtonin me automjetin e tyre.
Grupi hetimor tha se ka kryer veprimet e duhura procedurale, është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe shkaku i këtij aksidenti do të përcaktohet nga eksperti autoteknik.
Ndërkohë, policia kreu arrestimin e Fatbardh Boshtit, lindur e banues në lagjen "Qafë Kala", Ajasëm të qytetit Shkodër dhe tha se materialet në ngarkim të shtetasit tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për ndjekje të mëtejshme.
/r.d/e.n/NOA/