Tiranë, 19 Gusht NOA - Ikën Prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi, vjen Keltis Kruja, sekretari i Përgjithshëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Kruja u prezantua sot si prefekt i ri i qarkut më të madh në vend, nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni në mjediset e Prefekturës, ku merrte pjesë dhe prefekti i liruar, Rushdi Keçi.
Keltis Kruja ka lindur në Tiranë. Ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2003 dhe vazhdon studimet pasuniversitare për Administrim Publik, pranë Fakultetit të Ekonomisë.
Ai ka punuar si Drejtor i Përgjithshëm i Inspektimit në Ministrinë e Brendshme dhe aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike zgjedhur pas dorëheqjes më 29 janar të këtij viti të Flamur Nokës.
Keltis Kruja është po ashtu dhe anëtar i KKRT së Tiranës. Ai është përfolur nga media të shkruara si "shoku i Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit".
/a.k.e.l/NOA/