Nga Ilirjana A. Bajo
"Bashkimi Evropian, po dërgon në terren një klasë burokratësh, që nuk kuptojnë pse janë atje dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë", thotë për radion Evropa e Lirë, Helmut Kramer, ekspert për Ballkanin në Universitetin e Vjenës.
Më poshtë, ndiqni intervistën e plotë:
Z.Kramer, bazuar në njohjen tuaj, a mund t'i bëni një përshkrim përmbledhës gjendjes aktuale në Kosovë? Gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe kritike. Kjo vihet re më së shumti në fushën ekonomike e sociale, por edhe në problemet me kriminalitetin. Përveç këtyre, ka një pakënaqësi të thellë të Qeverisë në Prishtinë ndaj politikave të fundit të EULEX-it. Le të mbetemi tek raportet Qeveri - EULEX. EULEX-i po përpiqet të arrijë marrëveshje me Beogradin rreth bashkëpunimit policor, çfarë është kundërshtuar nga Qeveria, pasi nuk është përfshirë në proces. A besoni se prania evropiane dhe BE-ja në përgjithësi kanë strategji të qartë ndaj Kosovës? Jo, nuk mendoj se kanë. Politika e Bashkimit Evropian në Kosovë është politikë reaguese ndaj atyre që ndodhin dhe që dominohet nga parimi i stabilitetit. Kjo do të thotë që BE-ja është e butë me Serbinë, çfarë është shumë negative për Qeverinë në Prishtinë. Në këto kushte, çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës dhe BE-ja që të ndryshojnë gjendjen? Prishtina zyrtare nuk është shumë aktive. Aty vazhdon të sundojë politika bazuar në idenë se kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. Klasa politike në Kosovë është më shumë e shqetësuar për të siguruar e forcuar zonat e pushtetit dhe ndikimit personal, sesa të ndërmarrë nisma aktive e konstruktive. Mbetemi tek mënyra e qeverisjes në Kosovë. Në raportin tuaj të pak kohëve më parë thoni se korrupsioni është ndër problemet kyçe. Sipas jush, në çfarë shkalle është i përhapur korrupsioni dhe çfarë kërcënimi paraqet për demokracinë në Kosovë? Korrupsioni është problem thuajse në çdo vend, përfshirë dhe vendet e zhvilluara. Do të kujtoja këtu rastin e Italisë. Në Kosovë, korrupsioni po pengon klasën drejtuese që të orientohet drejt qëllimeve të përbashkëta të shoqërisë dhe të vendit. Ekzistojnë këtu dhe disa ndikime nga tradita. Tek korrupsioni ndikon dhe mënyra klanore e të menduarit apo e zonave të ndikimit. Është një gjendje vërtet katastrofike. Përcaktimi katastrofik është një përcaktim i rëndë. A mund ta elaboroni më konkretisht mendimin tuaj? Po. Të zhvillosh një vend si Kosova, që cilësohet si shtet i papërfunduar, ku një pjesë e territorit kontrollohet nga Serbia, është një punë shumë e vështirë. Nëse shtojmë këtu nivelin shumë të ulët të zhvillimit ekonomik dhe perspektivën po ashtu të dobët të këtij zhvillimi, situata bëhet më e qartë. Ekziston nevoja për një politikë realiste nga Qeveria, çfarë nuk po ndodh në realitet. A shihni ndonjë shpresë në mesin e klasës politike në Kosovë? A ka të tillë që do të sillnin qasje të re në qeverisje dhe në zhvillimin e vendit? Për fat të keq, jam pesimist. Këtu ndikon së tepërmi dhe strategjia e Bashkimit Evropian, e cila për momentin është shumë kontradiktore. Misioni i EULEX-it po përpiqet të zhvillojë rendin dhe ligjin pa pranuar pavarësinë e vendit. Ka dhe shumë elemente të tjera që e bëjnë pamjen të zymtë. Sipas jush, a ka dëmtuar në ndonjë mënyrë prania ndërkombëtare mënyrën se si është zhvilluar demokracia në Kosovë pas vitit 1999? Nga një anë kemi të bëjmë me një rast të suksesshëm në kuptimin që janë ngritur institucionet politike të pranuara nga popullsia dhe zgjedhjet janë mbajtur rregullisht. Megjithatë, mungon një kulturë politike demokratike dhe aktive. Përmendët se Kosova është shtet i papërfunduar dhe i ndarë. Cilat janë gjasat që Kosova të shndërrohet në shtet unik? Mendoj se shpresat që të ndodhë një gjë e tillë janë në afat të mesëm apo të gjatë. Është shumë e rëndësishme që Qeveria serbe të pranojë procesin në Kosovë. Bashkimi Evropian ka mundësi që të ushtrojë presion mbi Beogradin, pasi Serbia është shumë e interesuar të anëtarësohet në BE. Kemi të bëjmë me një situatë të vështirë, ku nga një anë kemi pavarësinë e Kosovës dhe nga ana tjetër kemi humbjen e krenarisë serbe. Këtu duhet thënë se Beogradi ka pasur disa suksese në raport me Kosovën. Mbetet të shpresojmë se Beogradi do të zhvillojë një politikë më realiste dhe pragmatike në raport me Kosovën. A shihni ndonjë sinjal që BE-ja po zhvillon politikë kushtëzuese ndaj Serbisë në raport me qasjen e Beogradit ndaj Kosovës? Jo, nuk e kemi një politikë të tillë. Kjo nuk e ndihmon as Qeverinë në Prishtinë, e cila sheh se ka marrëveshje sekrete mes Beogradit dhe BE-së. Së fundi, kemi përpjekje për marrëveshje në fushën e policisë, çfarë ka rritur shqetësimin e Prishtinës, pasi nuk janë informuar apo këshilluar për një gjë të tillë. Në raportin tonë të para pak javëve themi se duhet të ketë një ribërje të strategjisë evropiane në Kosovë, si ajo e EULEX-it, por dhe strategjia e përgjithshme e BE-së. Përse nuk po ndodh një gjë e tillë? A është shumë naive politika evropiane, me gjithë faktin që prej dy dekadash është e përfshirë në terren? A nuk ka nxjerrë BE-ja mësime nga përvojat e shkuara, përfshirë dhe atë në Bosnje? Besoj se është e trishtueshme. Këtu do të kujtoja shprehjen se me sa pak mençuri qeveris buldozeri. Diplomatët dhe politikanët përgjegjës janë shumë të shkëputur nga realiteti në Kosovë. Ata, madje, ende besojnë se po e sjellin Ballkanin Perëndimor drejt lirisë dhe demokracisë. Problemi është se ata nuk kanë njohuri për kulturat vendore apo historinë e rajonit. BE-ja po dërgon në terren një klasë burokratësh, që janë në pozitë të privilegjuar atje, por që nuk e kuptojnë pse janë atje dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë.
Â