Gjirokastër, 19 gusht NOA - Një 38-vjeçar i kërkuar nga policia për vjedhje është arrestuar sot, teksa drejtonte fugonin e linjës Mamaj-Tepelenë.
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim i dënuar me 6 muaj burg për vjedhje.
Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kryen sot arrestimin e 38-vjeçarit Ismail Ruçi.
Kapja e tij u krye pasi më datën 12 janar të vitit 2006, ka vjedhur me thyerje dyqanin e shtetasit E.K, në fshatin Bularat të Komunës Dropulli i Sipërm të rrethit Gjirokastër, ku ka marrë një televizor, një magnetofon të madh , një ekspres kafeje, 30 karta rimbushëse te kompanive celulare greke, disa pako me çokollata, dhe 90 Euro.
E gjithë vlera e mallit të vjedhur ishte rreth 170.000 lekë të reja.
Nga ana e policisë është bërë dokumentimi me prova ligjore dhe për ketë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër më datën 6 shkurt të vitit 2007, e ka dënuar atë në mungesë me 6 muaj burgim.
Kapja e Ruçit u krye pas informacioneve të marra në rrugë operative pasi ai shumë herë kishte mundur të humbte gjurmët pasi mbante emër të rremë.
k.k/NOA