English

PS, Baraj: Berisha të përgjigjet për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi

Tiranë, 19 gusht NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, ka dalë në një deklaratë për shtyp mesditën e sotme ku i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha të përgjigjet për financat që po rrezikohen.

"Kryeplaku i vendit iu përgjigj shqetësimit tonë real, konkret, të prekshëm përditë e më shumë nga qytetarët e këtij vendi, për financat e rrezikuara të shqiptarëve, me të njëjtin fjalor rrugaçëror, që e vë në gojën e një vajze të re, duke u marrë si gjithmonë këto kohë jo me problemet e njerëzve, por me hallin e tij kryesor, që është Partia Socialiste.

Ne sot e ripyesim publikisht Sali Berishën, pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhet gati t'i çojë për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke zhytur përditë e më shumë në borxh familjet e fëmijët e këtij vendi?' deklaroi Baraj.

"Përpara se sa t'i thotë vajzës që nxjerr në podium, se çfarë duhet të recitojë nga fjalori i tij vulgar kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, Sali Berisha duhet t'u thotë shqiptarëve nëse ia ka paguar faturën mbi 60 milion euro të këtyre muajve të fundit firmës së rrugës së kombit, apo nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka firmave të tjera, të rrugëve të shqyera lartë e poshtë nëpër Shqipëri, apo s'ka çfarë paguan më, sepse arka e shtetit është zbrazur përpara dimrit të rëndë që i pret familjet e këtij vendi, për shkak të shpërdorimeve kolosale për pasurimin e oborrit të tij familjar dhe korrupsionin marramendës elektoral të 28 qershorit?' shtoi më tej Baraj.

Sipas deputetit të PS-së, guvernatori i Bankës edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese, gjithashtu edhe ministria e Financave, edhe pse me një fije zëri, e pranon krizën ekonomike.

Baraj theksoi se Sali Berisha të tregojë të vërtetën për financat e shthurura të vendit, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi, për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investime.

k.k/NOA

KOMENTE