English

Qeverisja e re me PD, Haxhinasto: LSI ka gati kushtet

Tiranë, 19 gusht NOA-Pak ditë pas nisjes së negociatave mes koalicionit të djathtë dhe aleatëve, një prej tyre, LSI, deklaron se ka gati kushtet që do t'ja hedhë në tryezë kreut të PD, Sali Berisha, propozime këto që në thelb përbëjnë çështje për të cilat LSI ka paraqitur dhe në platformën e saj elektorale gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Në një intervistë për mediat, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Edmond Haxhinasto, shpjegon pikat kyçe për të cilat kjo forcë e majtë e koalicionit të djathtë duket se nuk do të lëshojë pe por do të luftojë për të arritur konsensusin e duhur. Ndiqni më poshtë intervistën

Z. Haxhinasto a ka ndonjë datë të konkrete për fillimin e negociatave mes LSI-së dhe PD-së për krijimin e koalicionit qeverisës ?

Nuk ka akoma një datë, por sigurisht që negociatat do zhvillohen.

Besoj se ka kohë të mjaftueshme , duke pasur parasysh dhe afatet kushtetuese na i lejon këtë gjë.

Gjithë kjo kohë do të përdoret në mënyrë efikase për të bërë negociatat përkatëse, dhe për të arritur ato objektiva politike dhe atë program të përbashkët që ne dëshirojmë të realizojmë.

Z. Haxhinasto a keni ju tashmë një draft konkret mbi të cilin do të zhvillohen dhe negociatat zyrtare. Pra cila janë ato pikat programore ku do të mbështeteni në fillimin dhe zyrtarizimin e këtyre negociatave?

Prioriteti kryesor që ne do të parashtrojmë në tryezën e negociatave, sigurisht janë të lidhura me ato prioritete që ne kemi paraqitur politikisht gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Ku konsistojnë në çështjet e zhvillimit me ritme më të shpejta të vendit, zhvillimin e sektorëve të caktuar, sikurse është zhvillimi ekonomik, çështjet që kanë të bëjnë me papunësinë, gjithashtu një pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve publike sikurse është shëndetësia dhe arsimi.

Gjithashtu prioritet tjetër konsiston dhe në paketën për përkujdesjen sociale, ku sikurse dihet tashmë ne kemi hartuar dhe një pr/ligj për "Moshën e Tretë",dhe në mënyrë të veçantë dua të theksoj se LSI-ja ka përgatitur një paketë të posaçme për t'u ardhur në ndihmë të gjithë asaj kategorie të shoqërisë sonë që përfitojnë nga "përkrahja sociale", ku sipas asaj që ne kemi detajuar rezulton në rritjen e kësaj përkrahje, në krijimin e vendeve të punës për këtë kategori shoqërore,

Të gjitha këto që ju përmendi z. Haxhinasto përkthehen në investime dhe fonde., por a ka gati LSI-ja tashmë propozimet e saj për hartimin e pr/buxhetit të ardhshëm, dhe a do të merren ato parasysh nga qeveria e z. Berisha. Kam parasysh këtu dhe deklaratën e z. Bode që është deklaruar "pro" propozimeve të LSI-së për këtë buxhet?

Në mënyrë absolute që në jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ekspertizën tonë dhe gatishmërinë tonë, në mënyrë që ato që do të jenë prioritete të përbashkëta qeverisëse të kenë dhe faturën buxhetore për ti mbështetur në realizimin e tyre, sepse prioritete pa mbështetje buxhetore nuk mund të ketë.

Duke përfituar nga rasti dua të vlerësojë që për herë të para ndoshta prag-krijimi i kësaj qeverie të re nuk diskutohet vetëm portofolet ministrore që mban partia, por diskutohen prioritetet qeverisëse dhe kontribute të përbashkëta për hartimin e buxhetit që do të mbështes prioritetet qeverisëse.  Â

Por realisht a ka LSI-ja ndonjë objektiv apo qëllim le ta themi kështu, për portofolet qeveritare që mund të ketë ?

Më e rëndësishme për ne është që prioritetet tona, qofshi ato politike apo zhvillimore, të harmonizohen sa më drejtë dhe sa më gjerë në programin e përbashkët qeverisës.

Kjo është njëra çështje, pastaj mënyra sesi do realizohen ato, angazhimet dhe përgjegjësitë përkatëse që do të mbaj LSI-ja për t'i realizuar ato janë një çështje tjetër. Sigurisht që kjo është e rëndësishme, por jo aq e rëndësishme sesa prioritetet që do të ketë qeveria e ardhshme.

Z. Haxhinasto është folur shumë se do të ketë ndryshime të sistemit zgjedhor, a keni ju ndonjë projekt konkret për mënyrën sesi do të bëhen këto ndryshime?

Ne kemi idetë tona, propozimet tona konkrete, por dhe kodi ashtu siç do reformë tjetër e rëndësishme që duhet të kalojë vendi, kërkon një konsensus më të gjerë. Por e rëndësishme është se përveç konsensusit ne duhet të kuptojmë se ka shumë rëndësi substanca dhe cilësia e standardeve që ne duhet të arrijmë përmes reformës zgjedhore. Zgjedhjet e 28 qershorit treguan se nuk mjafton vetëm vullneti dhe konsensusi politik i arritur për të kapur standardet, por duhet të kuptojmë vetë çfarë është ky standard dhe ti krahasojmë ato me standardet e ndërkombëtarëve.Â

Pra ajo që duhet të bëjmë ne në të ardhmen në lidhje me këtë reformë, është përfaqësimi i drejtë dhe i pa tjetërsuar të vullnetit të qytetarëve.

Së dyti , ka të bëjë me vetë procesin e administrimit të procesit zgjedhor, në mënyrë që asnjë nga forcat politike që konkurron në këtë proces zgjedhor të mos i kontestojë ato, të mos jetë jashtë këtij procesi, por të jetë pjesë përbërëse e administrimit.Â

Kjo është e parashikuar shumë mirë dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR, që do të thotë ose përfshirjes së të gjitha subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje, ose zhveshjen e tyre nga përfaqësia e tyre politike dhe ky administrim të bëhet nëpërmjet përfaqësuesve civil që nuk përfaqësojnë subjekte politike, por të jetë administratë profesioniste.

m.i/NOA

KOMENTE