Është fatkeqësi të kesh një kojshi si Serbia. Telashet nuk ndalen kurrë. Bash për këtë duhet provuar të pengohet nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit mes EULEX'it dhe Serbisë
Nga Ilir Mirena
Kosova e ka mundësinë që ta kushtëzojë liberalizimin e vizave për hyrjen e qytetarëve të Serbisë në vendet e Bashkimit Europian. Nëse nuk lejohet që EULEX ta nënshkruajë Protokollin e Bashkëpunimit me Serbinë, si njëra ndër shumë kushtet paraprake teknike për futjen e Serbisë në Schengenin e Bardhë - kjo edhe mund të bëhet. Jo në pafundësi, kur e dimë potencën tonë politike, ama një pengesë mund t'i vendoset asaj. Pse duhet të mos shpërblehet Serbia me këtë marrëveshje? Pengesa, në radhë të parë, duhet të bëhet për t'i shmangur konsekuencat politike që do t'i kemi nga një precedent i tillë. Edhe pse mund ta llogarisim si sukses që Serbia njeh dhe bashkëpunon me misionin më të madh të BE'së në Kosovë, EULEX pas këtij Protokolli do të jetë ndërmjetës i përhershëm mes nesh dhe Serbisë. Firmosja e kësaj marrëveshjeje e zhvirgjëron nga neutraliteti përballë statusit të Kosovës. Protokolli me Serbinë do t'ia hapë dyert EULEX'it që të fusë hundët nëpër punë të tjera ekzekutive duke shmangur institucionet e vendit. Bashkë me këtë, EULEX do të nënshkruajë edhe Protokollin e Antipatisë që do të nisë të zë rrënjë në kokat tona, pavarësisht një qëndrimi kryesisht miqësor ndaj këtij misioni, edhe pse pesë vende nën ombrellën e të cilave funksionon ende nuk e njohin vendin tonë. Duke transformuar kompetencat prej atyre mbikëqyrëse në ekzekutive, simpatia e krijuar ndaj misionit të Bashkimit Europian pas intervenimeve në pjesën veriore të Mitrovicës, do të vijë duke u rrënuar, për ta shndërruar EULEX'in në një kopje të shkyer të UNMIK'ut - gjithsesi të urryer. Shkurtimisht, këto do të jenë disa nga telashet për të cilat ia vlen të provohet të ndalet nënshkrimi i marrëveshjes mes EULEX'it dhe Ivica Dacicit, ish-kanakarit të Milloshevicit. Në përpjekje për t'i vënë pengesa një vendi deri më sot shumë armiqësor ndaj nesh, nëse kthehemi pak më herët motivet tona janë shumë të mëdha. Nëse Sllovenia është duke e bllokuar afrimin e Kroacisë me BE'në për një rrip toke, ne kemi motivet tona, pak më shumë se ato të tyre, që kurrë nuk kanë luftuar mes veti. Ne duhet të provojmë që fqinjit tonë t'ia nxijmë jetën për pak çaste, edhe pse jam i bindur se në Prishtinë do të zbarkojnë diplomatë nga Brukseli dhe Uashingtoni, për ta zbutur deri në thyerje refuzimin e Qeverisë dhe Presidencës, që për momentin duken të palëkundur. Serbia para një viti ka djegur pikat doganore në veri të vendit. Në Serbi nuk mund të hyjë asnjë kosovar me pasaportë të re, e po ashtu asnjë mall i prodhuar në Kosovë nën fjalinë "Made in Kosova" nuk mund të vendoset në dollapët e dyqaneve serbe. Bile as të kalojë transit nëpër territorin e Serbisë. Diplomacia serbe është tejet aktive për t'i penguar njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare. Dhe, përpos kësaj, shërbimi i tyre sekret u ofron para dëshmitarëve të rrejshëm për ta fëlliqur luftën e UÇK'së. Zyrtarët e Kosovës vazhdimisht rrezikohen që në aeroportet ndërkombëtare të përfundojnë nën pranga nga fletë-arrestet e Serbisë, e cila mban të ngujuar gjithë dokumentacionin e gjendjes civile dhe kadastrat. (Lajm i para disa ditësh ishte se shumë çifte bashkëshortore në Pejë, të kurorëzuar gjatë viteve 1990-të, sërish paraqiten para ofiqarisë për shkak të mungesës së librave të kurorëzimit për vitet 1990-1999). Disa javë më parë, Presidenti i Serbisë publikisht thirri pakicën serbe në Kosovë t'i bojkotojë zgjedhjet lokale që organizohen tek ne në këtë vjeshtë. E këtë të diel, në enklavat serbe në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet lokale të Serbisë. Këto janë telashet aktuale që na sjell Serbia, pa shkuar më tej në numërimin e të zezave deri në përfundimin e luftës, dhe shpërblimet me Pakon e Ahtisaarit. EULEX dhe ICO mbesin të palëkundur që të mos i shfrytëzojnë kompetencat e tyre të cilat ata i quajnë ekzekutive. Në arsyetimin për nënshkrimin e Protokollit të Bashkëpunimit me Serbinë thirren në letrën që Presidenti i Kosovës ia ka dërguar Javier Solanës, në shkurt të vitit 2008, me të cilën ka ftuar këtë mision në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Në nenin 9 të Pakos së Ahtisaarit, shumë qartë thuhet se "Kosova do të ketë pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, shërbimet e inteligjencës, reagimin emergjent civil dhe kontrollin e kufijve të territorit të saj, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, do të mbikëqyrë dhe udhëzojë zhvillimin e mëtejmë të institucioneve kosovare të sigurisë". Produkt i kësaj pakoje është edhe Kushtetuta e Kosovës. Sipër këtyre dy dokumenteve, EULEX ka vendosur të vejë një letër të Presidentit të Kosovës! Si duhet të sillemi pranë një fqinji të tillë? Në pazotësinë e BE'së për t'i zgjidhur konfliktet pa ndihmën e amerikanëve, tashmë proverbiale, kjo marrëveshje edhe mund të stopohet. Nëse institucionet e kanë refuzimin seriozisht, opinioni do të jetë përkrah tyre. Nëse jo, atëherë të përfitohet diçka në këmbim të kësaj marrëveshje. Për shembull, t'i sjellin eshtrat e të pagjeturve nga Serbia, meqë nuk kemi forma tjera për t'i detyruar përpos koncesioneve. Është fatkeqësi të kesh një kojshi si Serbia. Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk e meriton.
(*) Zv/Kryeredaktor, "Express"