Prishtinë, 19 Gusht NOA - Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo tha sot se EULEX nuk ka nënshkruar dhe nuk mund të nënshkruajë kurrfarë protokolli në emër të Kosovës, por vetëm në emër të EULEX-it.
Ndërsa ka kërkuar që të takohet të Enjten me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi për të sqaruar mundësinë e nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit Policor me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Liderët kosovarë janë shprehur qartësisht kundër nënshkrimit të protokollit mes EULEX'it dhe Beogradit, ndërsa zyrtarët serbë pohojnë se teksti i kësaj marrëveshje gati është harmonizuar dhe pritet nënshkrimi.
Përmes një deklarate për media, të lëshuar nga Zyra për Informim e EULEX-it, Kermabo ka vënë në pah se ka pasur një mori keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh lidhur me këtë çështje. "EULEX-i nuk ka nënshkruar dhe nuk mund të nënshkruajë çfarëdo lloj protokolli në emër të Kosovës. EULEX-i, si mision teknik për sundimin e ligjit, mund të nënshkruajë protokolle vetëm në emër të EULEX-it dhe për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, sipas pajtimit të arritur nga 27 vendet anëtare të BE-së", - ka siguruar Kermabo. Megjithatë, Kermabo ka sqaruar se nuk është e pazakontë për EULEX-in që të nënshkruajë marrëveshje me ministritë përkatëse të rajonit dhe për këtë, sipas tij, kanë qenë të informuara çdoherë institucionet e Kosovës.