English

Zhvillohet mbledhja për lëvrimin e financave të KE-së për vitin 2010

Tiranë, 19 gusht NOA - Zhvillohet mbledhja e radhës e Komitetit të Planifikimit të Strategjive e cila drejtohej nga kryeministri Sali Berisha.

Në qendër të mbledhjes së KPS-së ishte diskutimi paraprak për lëvrimin e financimeve të Komisionit Evropian, në kuadrin e marrëveshjes IPA për vitin 2010.

Forcimi i institucioneve, por edhe infrastruktura, si dhe projektet në sektorin e rendit e sigurisë publike, ishin fushat të cilat do të kenë prioritet në shpërndarjen e këtyre fondeve.

"Qëllimi i këtij takimi është një diskutim paraprak, jo përfundimtar, për financimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, në kuadrin e marrëveshjes IPA për vitin 2010. Asistenca e programit në kuadrin e kësaj marrëveshje për Shqipërinë, në periudhën 3-vjeçare nga Komisioni Evropian, pra 2009-2011, është rreth 269.4 milionë euro dhe vetëm për vitin 2010 është 93 milionë euro. Pra siç e shihni është një shumë e konsiderueshme, jashtëzakonisht e rëndësishme për nevojat e vendit. Nga kjo shumë 82,7 milionë euro janë për asistencën e forcimit institucional dhe 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ndërkufitar' deklaroi Berisha.

Sipas tij, nga muaji maj ka filluar puna, ministritë, agjencitë kanë paraqitur propozimet, kërkesat në përputhje me kriteret ose fushat për të cilat lëvrohet IPA, kriteri politik janë menduar rreth 20 milionë, fonde që parashikohen në përputhje me kriterin ekonomik, edhe këto janë rreth 16 milionë, fondet për aquitë janë rreth 41 milionë.

"Ministritë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit kanë paraqitur sipas rubrikave të marrëveshjes, projekte të cilat kanë të bëjnë me kontrollin e kufijve, kanë të bëjnë me aftësimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me mbrojtjen e të dhënave personale; kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, rrugëve dytësore kryesisht; kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit në tërësi dhe atij profesional në veçanti, programet Tempus, Erasmus; përmirësimin e infrastrukturës në sistemin e furnizimit me ujë, kanalizime; në mbështetje të agjencive të ndryshme, për të cilat mendoj se është e domosdoshme të ndalemi një nga një. Ka një listë shtesë projektesh, por nga ana tjetër, Departamenti i Koordinimit të Donacioneve dhe Ndihmave të Huaja, i ka shqyrtuar të gjitha këto kërkesa në përputhje me oferta të tjera që ekzistojnë nga institucione ndërkombëtare financiare, ç'ka është edhe në detyrën e tij, për të shmangur dublimet, gjë shumë e nevojshme" tha më tej Berisha.

k.k/NOA

KOMENTE