English

Ambasada Britanike denoncon marrjen e një letre kërcënuese në Tiranë

Tiranë, 20 gusht NOA - Një zarf pa adresë dhe anonime e lënë fshehtas nga një person i paidentifikuar në sportelin e Ambasadës Britanike në Tiranë, ka alarmuar jo pak diplomatët e huaj të cilët nuk nguruan të lajmëronin menjëherë policinë.

Forcat e policisë fillimisht janë njoftuar dy ditë më parë për një alarm për bombë në Ambasadën Britanike duke vërshuar menjëherë në vendngjarje.

Por vetëm pas mbërritjes në ambasadë kanë konstatuar se bëhej fjalë për një zarf që sipas personave të parë që kanë lexuar letrat brenda zarfit, ajo kishte përmbajtje kërcënuese.

"Një person ende i paidentifikuar kishte shkruar një letër dhe e kishte mbyllur në një zarf për ta lënë më pas në sportelin e ambasadës. Në letër personi fyente diplomatët e huaj që sipas tij nuk lëshonin viza për në Britani" thanë burime nga policia për agjencinë e lajmeve NOA.

"Ju nuk jepni viza, jeni plehra, të këqij" ishte një nga fjalitë fyese të shkruara në letër drejtuar Ambasadës Britanike.

Të trembur diplomatët e huaj lajmëruan policinë e cila ka nisur hetimet për të identifikuar autorin e letrës brenda së cilës kishte edhe fjalë kërcënuese.

Sipas policisë letra mund të jetë shkruar nga ndonjë person që ka aplikuar për vizë në këtë ambasadë e cila mund t'i ketë dhënë përgjigje negative.

Ndërkohë që zarfi dhe letra janë sekuestruar, ndërsa policia po vazhdon hetimet.

k.k/NOA - Lajmi është një prodhim i agjencisë NOA. Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa u cituar NOA si burim i lajmit

Komentoni lajmin:
KOMENTE