Prishtinë, 20 gusht NOA-Policia e Kosovës ka vënë në pranga një të dyshuar për lidhje me shtatë personat e arrestuar ditë më parë në Vushtrri, si të përfshirë në krim të organizuar.
Arrestimi është kryer rreth orës 16:30, te vendi i quajtur "Kafet e Vogla" në Prishtinë, nga pjesëtarët e Njësisë Speciale e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka, konfirmoi arrestimin e këtij të dyshuari, të përkatësisë shqiptare, që besohet se ka lidhje me "grupin multietnik" të arrestuar në fillim të javës, në një hotel në Vushtrri.
"Policia ka arrestuar edhe personin e tetë që dyshohet se ka lidhje me disa të arrestuar ditë më parë në Vushtrri", tha ai.
Aksioni i policisë, rreth orës 16:45 po vazhdonte me bastisjen e tri lokacioneve të ndryshme.
Pritet që policia të japë informata më të hollësishme pasi të përfundojë aksioni.
Shtatë të arrestuarve, të martën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u është caktuar paraburgimi me kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Tre shqiptarët, Haki Jonuzi, Abedin Beka, Afrim Ymeri; dy boshnjakët Artan Jelliç, Erhan Brniçanin si dhe dy serbët Nebojsha Bojoviç dhe Dushan Kadijeviç dyshohen se kanë kryer veprën krim të organizuar, përdorim dhe shitblerje të narkotikëve dhe vjedhje e rëndë.