Pejë, 20 gusht NOA-Policia e Pejës ka vënë në pranga një 35-vjeçar nga rrethina e Deçanit, që përkohësisht jeton në një shtet të Perëndimit, i cili dyshohet se ka përdhunuar një vajzë 11-vjeçare nga Peja. Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite.
Sikur raporton KosovaLive, zëdhënësi për mediat i policisë së Pejës, Zeqir Kelmendi, konfirmoi të enjten se pasi është marrë kjo informatë, policia ka takuar viktimën në shtëpinë e saj, ku është informuar sesi ka ndodhur ngjarja. Ajo i ka treguar policisë se ka qenë para shtëpisë kur një person i panjohur i është afruar dhe duke folur më të ka arritur ta mashtrojë dhe ta fusë në makinën e tij. Pastaj e ka dërguar në një vend të pabanuar jashtë qytetit, ku e ka dhunuar.
Pas aktit të kryer, i dyshuari e ka kthyer atë dhe e ka lënë para shtëpisë së saj nga ku e kishte marrë, dhe pastaj ka ikur në drejtim të panjohur. "Pas një angazhimi operativo-hetimor nga hetuesit e krimeve serioze dhe bashkëpunimit të lartë me qytetarë, policia fillimisht ka arritur të zbulojë targat e veturës, në bazë të cilave është arrit të lokalizohet edhe i dyshuari i moshës rreth 35-vjeçar nga komuna e Deçanit, me punë të përkohshme në Perëndim", tha zyrtari i policisë pa treguar se në cilin vend të perëndimit jeton dhe punon ky njeri. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit po mbahet në arrest, kurse makina e tij është konfiskuar më qëllim të zbulimit të provave.
Ndërkohë vajza është dërguar për ekzaminim mjekësor në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
m.i/NOA
Â