Tiranë, 20 gusht NOA - Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot një takim pune me disa ministra të kabinetit qeveritar, për të diskutuar strategjitë dhe masat që duhen ndërmarrë për të përballuar fluksin e turistëve në Shqipëri, që po vjen gjithnjë në rritje.
Duke e cilësuar si një vit surprizë rritjen me 36% të numrit të turistëve që kanë preferuar Shqipërinë për pushimet e kësaj vere, në një kohë krize universale, kryeministri Berisha kërkoi që të merren të gjitha masat për kompletimin e plotë të infrastrukturës përgjatë gjithë bregdetit, në rrugë, ujësjellës e energjetikë, për rritjen e kapacitetit të akomodimit në hoteleri, si dhe për arritjen e standardeve të larta të shërbimit në to.
Për rritjen e kapaciteteve akomoduese, Berisha propozoi dhënien e kredive të buta, për banorët e zonave në bregdet.
"Ministria e Financave duhet të shqyrtojë mundësinë e një kredie të butë për të gjitha familjet që duan të shtojnë një dhomë, dy dhoma apo një kat në shtëpitë ekzistuese. Ne nuk mund të japim kredi për të bërë shtëpi të reja, por në qoftë se gjejmë një mënyrë për të rritur më shpejt kapacitetet hoteliere të fshatrave të bregut, nga Dhërmiu në Ksamil, e të gjithë gjatësinë e bregut Jon, ndoshta do të mund të shtojmë një numër shumë të madh shtretërish. T'u japësh fonde atyre është një përparësi absolute. T'u japim fondet dhe të procedohet sa më shpejt, në mënyrë që mbi bazën e planeve urbanistike pastaj të autorizohen ndërtimet" tha kryeministri.
Një tjetër çështje që u diskutua në këtë takim ishte dhe përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës në bregun e Jugut.
Në këtë drejtim, kreu i qeverisë i kërkoi Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit hartimin e një studimi serioz për krijimin e një rrjeti të ri rrugor, për lehtësimin e trafikut në qytet, me qëllim që trafiku i turistëve drejt bregut të mos rëndojë qarkullimin rrugor në qytet.
"Bregu është me një klimë të jashtëzakonshme dhe prodhime unikale. Në të vërtetë, ne duhet të bëjmë çdo gjë që aty të rikthehet plotësisht dhe fuqishëm i gjithë potenciali i madh bujqësor që ka ajo zonë. Është zona kryesore e ullirit në Shqipëri, është zonë kryesore e agrumeve në Shqipëri, është zona kryesore e shumë e shumë drurëve frutorë të një cilësie të lartë. Zona ka një pakësim të krahut të punës, ky është një realitet aty, për shkak të emigracionit. Por sërish mendoj që edhe aty duhet të nisim me sistemin e vaditjes. Duhet të bëjmë çdo gjë që ne t'u krijojmë mundësi atyre që të ujitin tokat që kanë. Fatmirësisht, aty ka burime uji, por ne do ta vendosim atë një zonë me përparësi për vaditjen dhe këtë zonë me përparësi për vaditjen do ta shtrijmë deri në Ksamil" deklaroi më tej Berisha.
Sipas tij ligji i tokave të braktisura do të shërbejë në dy mënyra, së pari, ai që e ka braktisur mund t'i rikthehet në kushtet që krijohen për ta punuar tokën dhe së dyti, kur komunat shohin që toka është e braktisur, kanë dhe do të kenë të drejtë që tokat e braktisura t'ia japin me të dhjetë një fermeri tjetër.
Furnizimi i plotë me energji elektrike i këtyre zonave, ishte një tjetër çështje për të cilin Kryeministri Berisha kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë.
"Sërish parametrat e energjisë nuk janë ato që duhen, por për këtë do bëjmë një diskutim me Ministrinë e Energjetikës. Në rast se këto parametra janë problem të dis-ekuilibrit të sistemit energjetik të prodhimit të vendosur kryesisht në Veri, atëherë zgjidhja është TEC-i i Vlorës, që do të prodhojë energji për të ruajtur parametrat e energjisë në zonën më turistike të vendit" - nënvizoi Kryeministri.
k.k/NOA
Â