English

KE ndihmon pagesën e borxhit të Kosovës ndaj Bankës Botërore

Hajdin Islami/ Prishtinë, 20 gusht, NOA - Komisioni Evropian kontribuoi me 5 milionë euro në Fondin e mirëbesimit të donatorëve, i cili përkrah pagesën e borxhit të Kosovës ndaj Bankës Botërore.

Fondi i mirëbesimit ka për qëllim të ofrojë një burim për lehtësimin e pagesës së obligimeve që dalin nga borxhi i Kosovës ndaj Bankës Botërore, të grumbulluar para 10 qershorit 1999.

Këto obligime janë marrë nga Kosova në qershor të këtij viti pas anëtarësimit në Bankën Botërore. Kontributi i Komisionit Evropian do ta ndihmojë Kosovën që të demonstrojë se i ka marrë përgjegjësitë e reja si anëtare e rregullt e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

Ky kontribut është gjithashtu i mirëseardhur për Kosovën në këtë moment, pasi që kriza ekonomike globale pritet të ketë ndikim në paratë publike, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.

NOA

KOMENTE