Tiranë, 20 gusht, NOA - Pritej të zhvillohej ditën e sotme, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Takimi mes kryeministrit Berisha dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, sipas burimeve pranë këtyre dy partive nuk ka një ende një datë të caktuar se kur do të zhvillohet.
Ai është mjaft i rëndësishëm në fakt për të ardhmen e qeverisë së re, e cila pritet të jetë një frut i bashkëpunimit mes koalicionit të së djathtës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Një javë më parë, ishin zyrtarët e LSI-së që konfirmuan publikisht takimin e parë zyrtar më 20 gusht, por Berisha dje në mbledhje nuk njoftoi se do të kishte një takim të tillë. Tashmë të dyja palët janë duke punuar intensivisht për të përballur ditën e negociatave, e cila pritet të jetë të hënën e ardhshme, alternativat përkatëse dhe për të arritur në një konkluzion të përbashkët për qeverisjen e re.
Paraprakisht, LSI kërkon të paktën 3 portofole ministrore, por nuk dihet nëse ky kusht do të pranohet nga Partia Demokratike.
n.e/NOA