Prishtinë, 20 gusht NOA- Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e liderëve të institucioneve të Kosovës për nënshkrimin e protokolleve të bashkëpunimit ndërpolicor me Serbinë duke bërë që takimi i sotëm në Prishtinë të përfundojë pa një marrëveshje.
Udhëheqësit kosovarë i thanë shefit të EULEX-it se vetëm institucionet e Republikës së Kosovës janë kompetente për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve me vendet tjera.
Ndërkaq, Iv de Kermabo tha se ky ishte takimi i parë dhe përkundër qëndrimeve të kundërta, ai tha se do të jetë në kërkim të arritjes së pëlqimit edhe nga ana e Prishtinës.
"EULEX-i nuk mund dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës", tha Iv de Kermabo.
Ai tha po ashtu se dëshironte t'i siguronte kosovarët se kjo marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë nuk ka të bëjë me planin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara, i cili është refuzuar tashmë nga Prishtina zyrtare.
Ky protokoll, sipas tij, do të ndihmojë luftimin e krimit dhe kontrabandës dhe ka të bëjë me bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe policisë serbe.
Ndërkohë, udhëheqësit kosovarë e kundërshtuan marrëveshjen e propozuar.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në takim ishin shprehur qëndrime të ndryshme ndërmjet tyre dhe shefit të EULEX-it.
Sejdiu tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me EULEX-in, por nuk do të përkrahë legjitimimin e strukturave paralele që Serbia ka ngritur në pjesë të caktuara të Kosovës.
"Absolutisht, nuk mendojmë se mund të ketë ide që dikush të instrumentojë apo t'i mbajë gjallë strukturat paralele, të cilat realisht janë në dëm edhe të vetë komunitetit serb, sepse e mbajnë peng në iluzione për procese nëpër të cilat kemi kapërcyer" theksoi Sejdiu.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova nuk do t'i lejojë Beogradit që përmes mekanizmave të caktuar të mbajë ndikimin e vet në Kosovë.
Thaçi tha se marrëveshjet e tilla nuk mund të nënshkruhen pa miratimin e institucioneve të Kosovës.
"Në asnjë rrethanë, Beogradit nuk do t'i jepet hapësirë e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës, përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar.
Vendimet për Prishtinën i marrin institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, qëndrimi i Prishtinës është mjaft i qartë, institucionet e Kosovës janë ato që vendosin për Prishtinën", tha Thaçi.
Sidoqoftë, takimi i sotëm u tha se ishte i pari me këtë temë diskutimi dhe u paralajmërua vazhdimi i kontakteve tjera ndërmjet misionit të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.
m.i/NOA