Tiranë, 20 gusht NOA - "Emërimi më i fundit i Sali Berishës, dhe i pari për mandatin e ri qeverisës tërësisht të pamerituar dhe vjedharak, është kryekëput simbol i filozofisë së pushtetit që ka karakterizuar mazhorancën e PD në të shkuarën e që fatkeqësisht kështu do vazhdojë edhe për ditët që i mbeten kësaj qeverie".
Ky ishte vlerësimi i dhënë sot nga Partia Socialiste përmes deputetit të saj Saimir Tahiri, kryetari i fondacionit pranë PS, "Qemal Stafa".
Tahiri tha se Sali Berisha emëroi dje Prefekt të Tiranës shokun e ngushtë të Shkëlzenit dhe Rrahmanit duke dhënë dëshminë e rradhës për pushtetin abuziv dhe financiar të cilin ai e përdor në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive.
"Është tashmë e qartë për të gjithë se shteti shqiptar dhe qeveria e shërbimit e shërbesave është nënshtruar tërësisht në shërbim të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, e çdo sekseri tjetër që i bindet verbërisht interesave korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij.
Shqipëria mbahet peng nga fëmijët dhe familjarët e kryeministrit ndërkohë që institucionet publike, ministritë, policia, dogana dhe gjithçka varet nga Kryeministri, janë vënë në shërbim të interesave pasurore të një grushti njerëzish që përveç lidhjes së gjakut i lidhin tashmë dhe interesat klanore për të vjedhur pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve", - tha Tahiri.
Në këtë pikë, Tahiri tha se Partia Socialiste është e vendosur të demaskojë në sytë e publikut këto praktika nepotike dhe korruptive.
e.l/NOA