English

Zëvendësimi i lekut, a mund të përdorim dot monedhën euro?

Nga Rajmonda Lajthia/ Tiranë, 20 gusht, NOA - As sezoni turistik dhe as prurjet e valutore të emigrantëve duket se nuk ndikuan këtë sezon veror në mbiçmimin e lekut, ashtu siç ndodh zakonisht në periudha të tilla.

Një euro ka mbetur ende në kufijtë e 130 lekëve, duke dhënë efekt negativ më shumë tek kredimarrësit në monedhën europiane.

Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme të ardhmen e kursit të këmbimit.

Për këshilltarin e kryeministrit për ekonominë Selami Xhepa, kursi i këmbimit nuk do të na surprizojë në muajt në vazhdim, pasi kërkesa për importe do të bjerë ndërsa me rimëkëmbjen e disa ekonomive europiane, kërkesa për eksportet shqiptare do të rritet. Sipas Xhepës, situata nuk është shqetësuese, pasi ky nivel kursi tregon më së shumti tendencat e tregjeve botërore si dhe pasqyron efekte të faktorëve të brendshëm.

Nga ana tjetër, profesori i ekonomisë Sulo Hadëri është i mendimit se e ardhmja e kursit të këmbimit është në pikëpyetje dhe nuk garanton stabilitet. "Treguesit që do të mbajnë kursin në ekujlibër nuk janë optimist, defiçiti i llogarisë korente është në nivele të larta dhe ky fakt nuk garanton stabilitet", shprehet Hadëri.

Për ekspertët, mbetet një debat i hapur nëse ekonomia jonë është e gatshme të zëvendësojë lekun me monedhën europiane.

Selami Xhepa është i mendimit se zëvendësimi i monedhës kombëtare do të ndikojë pozitivisht në eleminimin e rrisqeve që vijnë nga luhatja e kursit të këmbimit.

Mbi të gjitha, sipas Xhepës të bëhesh pjesë e një politike monetare edhe më të fuqishme do të krijonte premisa për të redukutuar ndjeshëm rreziqet që vijnë nga jashtë. Por profesor Hadëri thotë se ndryshimi i monedhave vlen të kryhet në ekonomi të cilat kanë probleme dhe luhatje të mëdha siç janë kursi i këmbimit, rritja ekonomike apo ndryshimi i shpeshtë i inflacionit.

Në këto kushte argumenton Hadëri, nuk është e nevojshme që të merren iniciativa të tilla, pasi kostot do të jenë edhe më të mëdha se sa përfitimiet.

Në rast se do të kryhej zëvendësimi i lekut atëherë edhe normat e interesit bankar do të ishin të njëjtat me vendet e Bashkimit Europian. Një nga kriteret për të përdorur euron është mbajtja e inflacionit nën kontroll 2-3% , si dhe një deficit buxhetor që të mos kalojë 3% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë që kjo shifer aktualisht tek ne është 4.2%.

KOMENTE