Shkodër, 21 gusht, NOA - Forcat e policisë së Shkodrës kanë arrestuar në flagrancë Gjergj Gramshin, vjeç 58, lindur në fshatin Mushan dhe banues në Suka- Dajç të Shkodrës si të dyshuar për një aksident rrugor me pasojë vdekjen.
Sipas burimeve policore për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, në vendin e quajtur "Sektor", duke drejtuar automjetin Benz me targa SH 6286 E, ka aksidentuar rëndë Martin Vushaj, vjeç 77, lindur dhe banues në fshatin Mali Kolaj, komuna Velipojë, i cili po lëvizte si këmbësor në rrugë.
Megjithë ndihmën mjekësore të dhënë në spitalin e Shkodrës, Martin Vushaj, ka gjetur më pas vdekjen në spital.
Menjëherë në vendgjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e duhura proceduriale dhe hetimore për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen".