Nga Arton Konushevci*
Mbajtja e zgjedhjeve serbe, të organizuara nga Qeveria e Beogradit në Kosovë, ka bërë që një pjesë e këtij komuniteti të hezitojë të marrë pjesë në procese të rëndësishme, që organizojnë institucionet e Republikës së Kosovës, e që janë decentralizimi dhe zgjedhjet lokale.
Zgjedhjet serbe, të cilat u mbajtën para pak ditësh në Kosovë, kanë ndikuar te disa serbë kosovarë që të mos marrin pjesë në procesin e decentralizimit dhe në zgjedhjet e 15 nëntorit, që organizohen nga institucionet e Kosovës. Këtë mendim shprehin përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe ekspertë të decentralizimit. Këshilltari politik në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Skënder Zogaj, thotë se zgjedhjet serbe edhe një herë kanë provokuar serbët e Kosovës.Â
"Them që zgjedhjet kanë pasur ndikim, sepse nga vetë fakti që serbët kanë dalë në ato zgjedhje, nuk mund të mohohet ndikimi i atyre zgjedhjeve. Por, ne, nga këndi tjetër, e vlerësojmë situatën, sepse kohëve të fundit kemi kërkesa të jashtëzakonshme të serbëve për t'u futur në institucionet e Kosovës". "Ne mendojmë që zgjedhjet serbe kanë provokuar popullatën serbe të Kosovës, që ndoshta edhe herën e fundit të reagojnë pozitivisht ndaj Serbisë, duke mos e mohuar edhe angazhimin e tyre në Kosovë", tha Zogaj. Ai shprehet i bindur se serbët e Kosovës tash e tutje do ta kuptojnë realitetin e ri në Kosovë dhe do t'iu bashkohen institucioneve të vendit. "Oferta që u bëhet mjediseve serbe, unë mendoj që do të jetë ajo arritje e re, e cila do ta arsyetojë, do ta kthjellojë, do ta nxjerrë në një pozicion tjetër qytetarin serb në Kosovë, që ta shohë se nuk ka shans tjetër, pos që në shtetin e vet të sillet si qytetar i atij shteti". "Rregullat e lojës së tillë do të jenë koordinatore për diçka tjetër; mendoj se në zgjedhjet e nëntorit do të jetë një prezencë e mirë e serbëve dhe, në njëfarë forme, do t'u japë përgjigje edhe zgjedhjeve që ndodhën këto ditë", u shpreh Zogaj. Serbët e Kosovës kanë menduar që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nuk do të ketë më zgjedhje të organizuara nga Serbia, thotë Arben Gashi, ekspert për decentralizmin. Sipas tij, zgjedhjet e organizuara nga Beogradi në Kosovë kanë konfirmuar ndikimin e Qeverisë së Serbisë brenda Kosovës. Rrjedhimisht, thotë Gashi, komuniteti serb edhe më tej do të hezitojë të marrë pjesë në procesin e decentralizimit.Â
"Ata serbë që kanë pasur qasje pozitive ndaj institucioneve të Kosovës, ata do të humbin argumentin, sepse argumenti kryesor i tyre ka qenë që institucionet e Serbisë nuk kanë ndikim më në territorin e Kosovës, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të krijojmë kushte që të përmirësojmë kualitetin e jetës sonë. Ky ka qenë argumenti i serbëve që kanë pasur qasje pozitive ndaj institucioneve të Kosovës". "Janë organizuar zgjedhjet dhe ata e kanë humbur këtë argument politik dhe tashmë ka mbetur e izoluar pjesa, e cila ka qenë pozitive ndaj institucioneve të Kosovës. E ajo pjesa e popullatës që ka qenë në luhatje, ka marrë një konfirmim të fuqishëm që institucionet e Serbisë kanë ndikim", tha Gashi. Për gjithë këtë gjendje të krijuar në terren, sipas zoti Gashi, fajtore është Qeveria e Kosovës. Sipas tij, kjo qeveri nuk po arrin t'i përmbushë obligimet e marra nga bashkësia ndërkombëtare. "Krejt faji është të institucionet e Kosovës, që gjithmonë shkojnë si institucione që merren me reagim, e jo me preventivë". "Me reagim dhe preventivë unë kam parasysh që ato kanë marrë përsipër obligime që të implementojnë një pako organizative, territoriale, politike dhe administrative mbi pjesë të territorit të caktuar në Kosovë - obligime këto që i kanë marrë nga bashkësia ndërkombëtare, mirëpo që nuk i kanë realizuar", deklaroi Gashi. Qeveria e Serbisë kishte organizuar zgjedhje në Kosovë pa u penguar nga institucionet vendore. Përkundër pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje, zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal pohojnë se po vazhdojnë përpjekjet për t'i bindur ata për të marrë pjesë në procesin e decentralizimit.
(*) RFE