English

Faleminderit Berisha

Nga Naser Pajaziti

Â

Një telefonatë e papritur nga Tirana në redaksinë tonë ishte jashtëzakonisht impresionuese për stafin tonë, por pas disa minutave edhe për Arjeta Alilin dhe familjen e saj arsimdashëse nga Shkupi.

Dhe ajo telefonatë ishte diçka që kurorëzoi misionin tonë si gazetarë, por edhe nxori në sipërfaqe brutalitetin qeveritar dhe realitetin e trajtimit injorues dhe diskriminues të shqiptarëve këtu, edhe në rastet kur bëhet fjalë për talente, persona me aftësi të jashtëzakonshme siç është Arjeta Alili nga Shkupi, me dhjetëra certifikata dhe diploma të fituara si një talente e veçantë për nga opusi i saj i gjerë i diturive.

Ajo ishte viktima e radhës nga kjo qeveri e egërsuar me akte segregative ndaj individit por edhe në tërësi shoqërisë shqiptare. Turpi më i madh i takon atyre që ditë e natë thirren se përfaqësojnë interesat tona nëpër kolltukët qeveritarë, por demaskimi dhe goditja në turinjtë e tyre ndodh edhe me rastin e Arjetës.

Një koleg i imi tiranas më luti që storjes së Arjetës ti japim një këndvështrim tjetër, paksa më pak afirmativ për misionin human të kryeministrit Berisha, sepse siç tha ai "do të duhet pastaj Berisha të hapë fakultete, të hapë paralele të shkollave të mesme profesionale, të ndërtojë shkolla fillore e çka të mos bëjë për juve shqiptarët në Maqedoni, që jeni të katandisur nga politika e diskriminimit të rëndë qeveritar".

Por nuk më lë shpirti i trazuar që ti themi troç para syve langaraqëve të Gruevskit dhe vetë atij se megjithatë tani kemi edhe krahun tonë ku të ankohemi dhe kush na del zot në kohë e ditë të vështira. Dhe erdhi kjo ditë, me kryeministrin Berisha, i cili me veprimin e tij për ti dalë në ndihmë Arjetës, çoi një mesazh të fortë në adresë të Nikollës, Abdilaqimit e Alisë.

Alarmi për trazimin nga hutia të këtyre shqiptarëve tekanjoz të pushtetit duhet të jetë një mësim se si duhet të shikohen dhe ti dilet në ndihmë halleve dhe derteve të shqiptarit, sidomos në ditët më të vështira.

Por, kësaj kategorie të pacipë të politikës shqiptare nuk i bëjnë përshtypje apelet dhe zërat e nënave, ish-luftëtarëve të lirisë, jetimëve të dëshmorëve, hallexhinjve shqiptarë, të burgosurve të pafajshëm, por edhe vajit të foshnjave dhe fëmijëve, që kërkojnë një ndihmë të vogël përballë një halli, para një sporteli apo duke u dergjur në botën e humbur e nëpër kazamate. Ata sillen si injorantë para faqeve të gazetave e kronikave trishtuese që përshkruajnë jetën e hallexhiut shqiptar në këtë shtet, pa hisen reale të pushtetit. E kjo ndodhë për faktin se nuk lexohen gazetat këtu sikur në Tiranë e Prishtinë, e maskarallëqet e tyre mund akoma të fshihen, sikur pas xhamave të zinj të makinave të tyre zyrtare apo edhe pas kabineteve të tyre të errësuar.

Pavarësisht kësaj katandisje dhe realiteti të zymtë dhe trishtues, misioni ynë vazhdon duke i ftuar gjithë nënat tona, vëllezërit tanë të ngrejë zërin e padrejtësive, shkeljeve, përbuzjes dhe injorimit institucional "alla makedonçe".

Ju lutemi të na shkruani… ne do të jemi zëri juaj…

Drejtor, agjencia INA, Maqedoni

Â

KOMENTE