English

Kthehet në atdhe libiani i dënuar për bombë në avionin ku vdiqën 270 persona

Tripoli, 21 gusht, NOA - Eshtë kthyer në atdhe Abdel Basset al-Megrahi, libiani i dënuar për bombën në avionin që ra në Lockerbie në vitin 1988 ku vdiqën mëse 270 persona, u kthye në Tripoli pas tre vitesh burgim në Skoci.

Atij në fakt i ishte caktuar dënim me burgim të përjetshëm, por autoritetet skoceze e liruan atë për arsye njerëzore, pasi vuante nga kanceri vdekjeprurës në prostat.

Ka qenë vetë sekretari skocez i drejtësisë, Kenneth MacAskill i cili ka njoftuar se Abdel Baset Al-Megrahi, është liruar nga burgu dhe po kthehet në shtëpi.

"Është vendimi im që Abdel Baset Al-Megrahi, i dënuar më 2001, për atentat me bombë dhe që tani është i sëmurë nga kanceri i pashërueshëm i prostatit, lirohet për arsye njerëzore dhe i mundësohet kthimi në Libi për të vdekur atje", ka deklaruar ai.

E ndërsa ai është pritur me festime dhe nderime në vendin e tij, qeveria amerikane tha se Al-Megrahi duhet të qëndronte në burg në Skoci.

Pjesa më e madhe e 270 personave që humbën jetën në Lockerbie më 1988 ishin amerikanë. Shumë prej të afërmve të tyre reaguan me zemërim ndaj vendimit për lirimin e libianit Abdel Basset al-Megrahi.

Disa thanë se ishin të ofenduar nga skenat festive që shoqëruan mbërritjen e tij në atdhe.

Presidenti Obama e përshkroi si gabim lirimin e tij.

Skenat festive në Libi u ritransmetuan në televizionin amerikan duke shokuar të afërmit e personave që humbën jetën në fluturimin 103 të avionit të kompanisë Pan Am si edhe duke zemëruar komentatorët amerikanë.

Kjo nuk është ajo që dëshironte Shtëpia e Bardhë, sikurse e bëri të qartë edhe presidenti Obama gjatë një interviste të regjistruar para se Abdelbaset Al Megrahi të mbërrinte në Tripoli.

n.e/NOA

KOMENTE